Muzike

Christiane Amanpour e CNN mahnitet nga Violeta e Ermonela Jahos 

Në prapaskenën e Operas Mbretërore  në Londër, gazetarja e njohur e rrjetit televiziv CNN, Christiane Amanpour është takuar me sopranon shqiptare Ermonela Jaho, e cila pas Parisit,  në turin e saj të skenave botërore është ndalur në Britaninë e Madhe me Traviatën.  “Në prapaskenë këtë fundjavë dhe e mahnitur nga Ermonela Jaho, sopranoja e shkëlqyer shqiptare që luan Violetën në historinë e dashurisë tragjike të Verdit “La Traviata””, shkruante në profilin e saj të Instagramit, Christiane Amanpour, ndërsa edhe sopranoja shqiptare ia ka kthyer nderin duke ripostuar fotografinë, ku gazetarja dhe këngëtarja shfaqen të përzemërta me njëra-tjetrën, duke shkruar “Shumë  i veçante takimi me gazetaren time ë  preferuar të  lajmeve ndërkombëtare të  CNN,  Christine Amanpour, mbas shfaqjes së  Traviatës në  Operan Mbretërore”. Gazetarja është fotografuar edhe me tenorin e famshëm Placido Domingo dhe të birin, ndërsa u ka marrë edhe një intervistë, ku Domingo rrëfen sesi vazhdon të rishpikë  veten dhe të mbetet një forcë  e rëndësishme në skenë.

Ermonela Jaho dhe Placido Domindo, "La Traviata", Opera Mbretërore, Londër

Kishte kaluar 25 vite nga koha kur  ishte shfaqur për herë të parë produksioni i “La Traviata” nga Richard Eyre, shkruan The Financial Times. Ringjalljet thuajse çdo vit, nga ajo kohë ,shpesh me kastë dyfishe, siç ishte edhe kjo, i ka konsumuar këngëtarët  në  rolet protagoniste, ku sfida për secilin ka qenë ta bënin rolin të tyre. Një vizitore e rregullt ka qenë edhe sopranoja shqiptare, Ermonela Jaho, e cila ndihet si në shtëpi me produksionin e Eyere-it.  Jaho e këndoi së pari dhjetë vjet të shkuar, në krah të Jonas Kaufmann  dhe Dmitri Hvorostovsky dhe e ka hijeshuar më shumë sesa njëherë, nga ajo kohë. “Është e lehtë të kuptosh se përse ka marrë ftesa të përsëritura”, shkruan Richard Fairman për FT. “Ashtu si Marietta Piccolomini,  e para Violetë e Londrës dhe shkaku i popullaritetit kaq të madhe të operas” ajo duhet të përshkruhet si “e i këndshme, e guximshme, i imët”. Në rastin e Jahos i duhet shtuar brishtësia, për shkak të elegancës së fizikut të saj dhe zërit,  që është tipari përcaktues i performancës. Jaho jep gjithçka ka, veçanërisht larminë e jashtëzakonshme të të kënduarit të butë, intim, të brishtë, ëndërrimtar, të trazuar, të thellë dhe rezultati është një portret thellësisht emocionues.”

Ermonela Jaho në rolin e Violetës, Opera Mbretërore, Londër

Sandro Corti e ka cilësuar si të gjithëpushtetshme sopranon, e cila ndezi zemrën e Operas Mbretërore.  “Sërish Traviata. Sërish Ermonela Jaho, Pas Parisit, Londra. Prapë duke ndjekur rrugëtimin e një artisteje,  që nuk njeh ndalesa dhe realizon interpretime gjithnjë e më tronditëse. Ndërton dhe skalit një personazh që do të mbetet pashlyeshëm i saji.” Corti e sheh lëvizjen e Jahos në skenë karizmin e aktores, “por mbase Jaho është më shumë se një aktore, është personazhi që merr jetë dhe formë.” “Një iluzion jetëshkurtër , një trishtim që nënkupton se ç’do të ndodhë dhe për të cilën Violeta është e vetëdijshme dhe ka një frikë të mallkuar. “Po, sepse Violeta është dhimbje që nga skena e parë, edhe kur  futet në vorbullat që e duan gjithnjë të lirë, tejet ekstreme edhe në shpërthimet në dukje të gëzimit, por që tradhtojnë në të vërtetë vullnetin për t’iu arratisur dhimbjes dhe së keqes që strehohet në zemër. Jaho arrin të na e bëjë ta ndiejmë këtë: dhe Verdi, nëse do të mundej  ta shihte dhe dëgjonte, do ta shijonte shumë.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë