Lajme

“Check-up”, Rama: 1,2 milionë dëshmitarë. Vokshi: Në listë edhe të vdekur

Kryeministri i vendit, Edi Rama, nëpërmjet një statusi në “Twitter” ka postuar një pasqyrë të check-up gjatë viteve. Kreu i qeverisë shprehet se e ka vëmendjen te njerëzit, ndërsa kundërshtarët e tij politikë e kanë mendjen tek ai.

Më tej, Rama shton se ata që kanë shpifje dhe akuza vulgare kundër kontrollit mjekësor bazë, ai i kundërshton me 1.2 milionë dëshmitarë që kanë bërë check-up falas deri më tani.

“CHECK UP është një pasqyrë ulëritëse e dallimit mes vëmendjes sime, e gjitha tek njerëzit dhe vëmendjes së tyre, që është e gjitha tek unë. Ata kanë shpifjet e akuzat vulgare kundër kontrollit mjekësor bazë, unë kam mbi 1.2 milionë dëshmitarë që kanë bërë CHECK UP FALAS deri më tani”, shkruan Rama në rrjetin social.

https://twitter.com/ediramaal/status/1053242236517974017

Ndërkohë, deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka reaguar pas publikimit të listës nga kryeministri Rama.

Ajo shprehet se pjesë e listës për kontroll shëndetësor falas janë bërë edhe të vdekurit, ndërsa shton se ka pasur edhe presione të vazhdueshme.

“Të thuash që 1.2 mln shqiptarë e kanë bërë Check up në 4 vjet, është si të thuash që Shqipëria ka pasur 4 Kryeministra të ndryshëm në 4 vjet. Por, për fat të keq, kemi pasur vetëm një Kryeministër, me të njëjtat mashtrime për SHËNDETËSI FALAS.

Lista përmban:

– emra të personave që nuk jetojnë më;

– emra qytetarësh që kurrë nuk e kanë bërë check up;

– emra të sëmurësh që i detyrojnë të bëjnë check-up disa herë në një vit, përndryshe nuk marrin kurat e nevojshme për të jetuar;

– emra mjekësh familje e infermierësh që detyrohen të japin gjakun e tyre për analiza që të plotësojnë normën e përcaktuar;

– emra qytetarësh në ndihmë ekonomike e pagesë invaliditeti që e rrezikojnë atë nëse nuk bëjnë check-up;

– emra mësuesish, punonjës të administratës të detyruar të bëjnë check-up në këmbim të mbajtjes së vendit të punës", shprehet Vokshi. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë