Pas 80 vitesh karrierë, këngëtari dhe kantautori Charles Aznavour është ndarë nga jeta në moshën 94 –vjeçare. Këngëtari lindi në Paris në vitin 1924 nga dy prindër, të cilët u kishin ikur gjenocidit në Armeni, për të nisur një jetë të re në kryeqytetin francez. Vargjet e Aznavour –it përshkruanin përvojën e tij të rritjes në skamje si emigrant. Këngëtari ishte në përgatitje të një turi me shtatë koncerte, mes Francës dhe Zvicrës, në nëntor të këtij viti. Ai ka regjistruar më shumë se 13000 këngë në tetë gjuhë të ndryshme dhe ka performuar në 94 shtete. Ka shitur më shumë se 180 milionë disqe dhe është shfaqur në më shumë se 60 filma gjatë karrierës.
Aznavour ka kënduar për presidentë, papë dhe familje mbretërore dhe në një sërë ngjarjesh humanitare. Ai ka qenë i përfshirë në vepra bamirësie dhe pati themeluar një organizatë pas tërmetit të 1988-ës në Armeni me mikun e tij Levon Sayan.Më 2009-ën ai u caktua ambasador i Armenisë në Zvicër dhe u bë gjithashtu delegat i Armenisë në Kombet e Bashkuara në Gjenevë. Në Francë ishte i lidhur me politikanët e qendrës së djathtë, duke mbështetur presidentët Jacques Chirac dhe Nicolas Sarkozy. Ai u bë Oficer i Legjionit të Nderit në Francë, më 1997-ën.
Aznavour, emri i vërtetë i të cilit ishte Shahnour Varinag Aznavourian, njihej ndryshe si Frank Sinatra i Francës.Aznavour, e nisi karrierën në kohën e artistëve të mëdhenj francezë si Edith Piaf, Maurice Chevalier dhe Charles Trenet.
Ai e zbuloi talentin si kantautor ndërsa performonte në kabare me partnerin e tij Pierre Roche, i cili luante në piano. Pas Luftës së Dytë Botërore, Piaf vuri re dyshen dhe i mori në një turne në ShBA dhe Kanada, ndërsa Aznavour kompozoi disa nga hitet saj më popullore.
Aznavour u rrit në bregun e majtë të Parisit. I ati ishte këngëtar që punonte edhe si kuzhinier dhe menaxher restoranti ndërsa e ëma ishte aktore. Performancat e para publike të tij ishin në vallet armene, ku i ati dhe motra e madhe Aida këndonin, ndërsa i vogli Charles vallëzonte.
Presidenti Emmanuel Macron ishte admirues i zjarrtë i Aznavour-it dhe këndonte shumë këngë të tijat në karaoke me miqtë kur ishte student, siç rrëfejnë shokët e tij të shkollës. Njihet më së shumti për këngën e tij “She” të vitit 1974 dhe është nderuar me një yll në Bulevardin e Famës në Hollivud.
“She”, një baladë romantike, në të cilën Aznavour përballet me gëzimin dhe dhimbjen e njëllojtë në një marrëdhënie, pavarësisht se deklaron “kuptimi i jetës sime është ajo”, ishte një hit botëror, i kënduar në gjuhën frënge, gjermane italiane dhe spanjolle. Aznavour regjistroi një duet me Frank Sinatra në këngën “You Make Me Feel So Young”. Bëri turne me Liza Minnelli nëpër Europë dhe ShBA dhe më 2008-ën këndoi me Sting, Celine Dion dhe yje të tjerë në albumin “Duo”.Ai gjithashtu kishte një rol të vogël në filmin fitues të Oscar-it, “Daullja prej kallaji”
‘Nuk dua të mburrem, por duhet ta pranoj se si djali i paarsimuar i një emigranti mund të kisha përfunduar shumë më keq”, ka thënë në website-in e tij. Aznavour u martua tri herë dhe ka gjashtë fëmijë. Ai është shpallur njeriu i spektaklit i shekullit nga CNN, më 1998-ën.
Sipas informacioneve nga Europe 1, presidenti i Francës do të mendojë organizimin e homazheve për Charles Aznavour më 11 tetor, në Samitin e Frankofonisë që këtë vit do të mbahet në Armeni, vendi i origjinës së këngëtarit. Emmanuel Macron kishte planifikuar të shkonte atje së bashku me këngëtarin. “E ftova në udhëtimin tim në Jerevan, ku do të këndonte”, shkruan kreu i shtetit, i cili në një postim në Teitter ka thënë se “kryeveprat e tij vula që ka lënë, ndikimi i tij unik do jetojnë gjatë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.