Futboll

Championsi flet shqip/ Partizani, Ballkani dhe Struga luajnë sot aktin e parë

Gazeta Si – Liga e Kampionëve luan sot ndeshjet e para të turit të parë eliminator, ku marrin tri skuadra shqiptare: Partizani kampion i Shqipërisë, Ballkani kampion i Kosovës dhe Struga kampione e Maqedonisë së Veriut. Kjo e fundit zbret e para në fushë, më pas radha e Ballkanit dhe Partizanit.

Struga është e vetmja skuadër shqiptare që luan jashtë fushe, në Lituani kundër Zalgiris. Ndeshja nis në orën 18:00. Të besuarit e trajnerit Shpëtim Duro shpresojnë të shkruajnë historinë edhe në Europë, ashtu siç bënë me fitimin e titullit historik në Maqedoninë e Veriut. Struganët kanë shanset e tyre.

Ballkani, ekipi kampion i Kosoves. Gazeta Si, 11 korrik 2023

Më i egër u tregua shorti me Ballkanin e Ilir Dajës, kampion i Kosovës për herë të dytë radhazi. Ballkani pret në fushën e tij kampionët e Bullgarisë, një skuadër me shumë eksperiencë, që ka shkuar deri në grupet e Championsit pak vite më parë. Trajneri Daja gjithsesi ka theksuar se të tijtë nuk do të luajnë në mbrojtje, por do të sulmojnë për të kërkuar fitoren. Sezonin e kaluar kampionët e Kosovës shkuan në grupet e Ligës së Konferencës.

Partizani ne stervitjen e fundit para sfides me Baten. Gazeta Si, 11 korrik 2023

Partizani pret në ‘Air Albania’ kampionët e Bjellorusisë, Bate Borisov. Një kundërshtar me emër, por jo me shkëlqimin e viteve të fundit. Shanset e kualifikimit mund të jenë të barabarta, por një pjesë e mirë vendoset në 90-minutëshin e sotëm.

Kroati Zoran Zekiç është përzgjedhur si trajneri që mund të udhëheqë Partizanin drejt suksesit në Europë. Klubi i kuq ka bërë edhe një merkato cilësore, që shpresohet të japë efekt menjëherë. Tani fjalën e ka fusha e blertë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë