Futboll

Champions/ Treni i fundit për Interin e Liverpulin, “Topi i Artë” rri në shtëpi

Mbyllet sot faza në grupe e Champions League për katër nga tetë prej tyre. Luajnë ndeshjet e fundit grupet E, F, G dhe H, ku gjithçka është e hapur. Në secilin prej këtyre grupeve, në lojë janë tri skuadra për dy vende dhe gjithçka varet nga kombinimi i rezultateve të 90-minutëshit të sotëm. E qetë është vetëm Barcelona që ka siguruar vendin e parë në Grupin F dhe në ndeshjen me Interin pritet të zbresë në fushë me shumë lojtarë stoli.

Ndeshjet e sotme në Champions. Gazeta Si, 10 dhjetor 2019

Lionel Mesi, fituesi i “Topot të Artë”, është lënë pushim nga trajneri Ernesto Valverde. Kishte dyshime për aktivizimin e tij në “San Siro”, por trajneri i katalanasve ka vendosur të mos e grumbullojë për këtë ndeshje argjentinasin. Trajneri Antonio Konte nuk ka të gatshëm Asamoah dhe Galiardinin. Interi e ka në dorën e vet kualifikimin, mjafton të fitojë me Barcelonën dhe zë vendin e dytë, pavarësisht çfarë ndodh në ndeshjen tjetër, Borusia Dortmund-Sllavia e Pargës.

https://twitter.com/FCBarcelona/status/1204027253836918786
Lista e lojtarëve të grumbulluar nga Barcelona për ndeshjen me Interin. Gazeta Si, 10 dhjetor 2019

Në Grupin E, Liverpuli kampion në fuqi, Napoli dhe Salcburgu luajnë për dy vende. Secili prej këtyre ekipeve mund të zërë edhe vendin e parë, ku më i avantazhuar është Liverpuli, që duhet të fitojë në fushën e Salcburgut. Napoli i Elseid Hysajt, që ndodhet në një situatë kaotike, ku trajneri Karlo Ançeloti rrezikon shumë shkarkimin, pret Genkun e vendit të fundit. Kualifikohet nëse fiton, por mund ta mbyllë edhe në vend të parë fazën në grupe, nëse Liverpuli nuk fiton në Austri.

Situatë gati e njëjtë edhe në Grupin H, ku Ajaksi, Çelsi dhe Valencia janë në garë për të kapur “trenin e fundit”. Luhet për dy vende dhe Ajaksit, ekipit që kryeson grupin, i mjafton edhe barazimi në fushën e vet ndaj Valencias, por kuptohet që holandezët kërkojnë vendin e parë dhe do të luajnë për fitore, aq më tepër që Çelsi është i favorizuar në letër për ndeshjen me Lilën e vendit të fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë