Futboll

Champions/ Në Dortmund nuk falet gabimi, Konte i ka idetë të qarta

Ndeshje vendimtare në Champions. Në Grupin F, Borusia Dortmund dhe Interi e dinë shumë mirë se humbja do të thotë eliminim. Antonio Konte e di shumë mirë se skuadra e tij është përpara një sfide shumë të rëndësishme, ku i duhet minimalisht barazimi. Trajneri i zikaltërve i ka idetë të qarta. Nuk ka të gatshëm Asamoah, Galiardinin dhe D’Ambrozion, por kthehet Sensi, që gjithsesi e nis nga stoli.

“Është ndeshje e rëndësishme. Jemi me pikë të barabarta me Borusian, ndërsa Barcelona e ka hipotekuar një vend. Luajtëm mirë në fushën tonë dhe fituam, por këtë herë është ndryshe. Është më e vështirë, përballemi me një klub të kolauduar dhe që merr pjesë në Champions prej shumë vitesh rregullisht. Atmosfera do të jetë e zjarrtë, e dimë se çfarë energjie përcjellin tifozët e Borusias te futbollistët në fushë. Duhet të tregojmë personalitet”, - ka thënë mes të tjerash në konferencë shtypi trajneri i Interit, Konte. Ai do t'ia besojë sulmin Lukaku-Lautaro Martinez.

Trajneri Konte në konferencë shtypi. Gazeta Si, 5 nëntor 2019

Edhe gjermanët e kanë shumë të qartë se çfarë duhet të bëjnë sot në mbrëmje. Trajneri Lysien Favre pret që skuadra e tij t’i kthejë reston Interit, duke e mundur për ta parakaluar në renditje. Një fitore e mundshme në mbrëmje, me shumë mundësi do të thotë vend i dytë dhe kualifikim, edhe pse ka edhe ndeshje të tjera për të luajtur. Mbetet në dyshim Marko Rojs, një nga lojtarët më të rëndësishëm të Borusias, i cili e humbi ndeshjen e parë për shkak të gripit.

Barcelona luan më shpejt se dy rivalët e saj, por thuajse e ka fitoren në “xhep”, pasi pret Sllavian e Pragës. Liverpuli pret Genkun dhe Napoli Salcburgun, që do të thotë se kanë mundësi të mëdha për fitoren e radhës në Champions. Ndër ndeshjet e tjera më interesante të mbrëmjes pritet të jetë ajo mes Çelsit dhe Ajaksit.

Ndeshjet e sotme në Champions. Gazeta Si, 5 nëntor 2019

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë