Paris SG eleminoi Arsenal (3-1 pas 180’) dhe mbërriti në Finalen e UEFA Champions League 2024/25. Pas Liverpool dhe Aston Villa-s edhe Arsenal pati të njëjtin fat nën kullën Eifel. Paris SG do të luajë ndaj Inter në Mynih në Finalen e dytë në historinë e klubit në Champions League. Të parën e luajti dhe e humbi ndaj Bayern në vitin 2020, kur Coman iu dha fitoren bavarezëve në Lisbonë. Arsenal duhet të presë ende për lavdinë në Evropë, ndërsa duhet të kthehet të blindojë vendin e dytë në Premier League.

Londinezët nuk u shfaqën asnjëherë në këtë përballje dhe duket se Arsenal u verbua nga optimizmi pas eleminimit të një Real Madrid-i larg formës më të mirë. Fakt është se Paris SG ishte në një nivel krejt tjetër nga ai që Premier League i vuri përpara këtë sezon. Nuk duhet harruar se francezët e mbyllën fazën e Ligës në vendin e 15, por aktualisht janë shndërruar në një skuadër të ndryshme nga ajo e Tetorit dhe Nëntorit në kompeticion. “Gunners” nuk ja dolën të përmbysnin humbjen 1-0 të një jave më parë edhe për shkak të lojës së Gianluigi Donnarumma-s. Heroi i “Emirates Stadium” përsëriti të njëjtën ndeshje duke e mbajtur Arsenal larg rrjetës.

Gabriel Martinelli dhe Martin Odegaard u përplasën në murin italian të parizienëve. 27 minuta nga fillimi, Paris SG zhbllokoi me Fabian Ruiz që shfrytëzoi topin e larguar nga Thomas Partey. Donnarumma ndaloi edhe Bukayo Saka përpara se Raya të bënte të njëjtën gjë ndaj Vitinha-s. Partey ishte arësyeja që Paris SG dyfishoi pas 72 minutave. Topin e humbur nga mesfushori mik e shfryëzoi Achraf Hakimi përpara se Bukayo Saka të mposhte Donnarumma-n katër minuta më pas. Gjë që nuk mjaftoi për të mbërritur në Mynih.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.