Futboll

Champions League/ Barcelona-Bajern, përplasje titanësh sot në “Camp Nou”

Ja ku erdhi edhe momenti i Ligës së Kampionëve. Pas ndeshjeve të kombëtareve kanë rifilluar kampionatet, ndërsa sot është koha për nisjen e sfidave europiane. Dhe menjëherë një ndeshje e madhe: Barcelona pret në “Camp Nou” Bajernin e Mynihut.

Ndeshja nis në orën 21:00 dhe është e vlefshme për xhiron e parë të fazës në grupe. Janë dy skuadrat më të forta në letër të Grupit E, ku bëjnë pjesë edhe Dinamo Kiev dhe Benfika. Përplasja direkte mes katalanasve dhe bavarezëve do të jetë e rëndësishme për klasifikimin, ku të dyja skuadrat synojnë kreun.

Barcelona dhe Bajerni deri tani nuk janë thyer në kampionat. Skuadra e Koeman ka dy fitore dhe një barazim. Ndeshja e fundit kundër Seviljes është shtyrë nga Liga, ashtu si dhe Vilarreal-Alavesh, sepse lojtarët amerikano-jugorë nuk kanë mundur të kthehen në kohë nga impenjimet me kombëtaret e tyre. Ky është një avantazh për Barcelonën, që vjen në këtë sfidë më e çlodhur se gjermanët.

Bavarezet duke festuar nje gol. Gazeta Si, 14 shtator 2021

Të besuarit e Nagelsman kanë mundur në fundjavë 4-1 Lajpcigun, me gola të Levandovskit, Musialës, Sane dhe Çoupo-Moting. Bavarezët mbajnë vendin e dytë në Bundesligë, në kuotën e 10 pikëve, pas 3 fitoreve dhe 1 barazimi. Barcelona ndërkohë do të ketë shumë mungesa, trajneri holandez nuk ka gati Agueron, Zhordi Albën, Braithuejt, Dembele dhe Dest. Te Bajerni nuk janë të disponueshëm francezët Koman dhe Toliso.

Barcelona dhe Bajerni janë ndeshur mes tyre deri tani 11 herë dhe bilanci është në favor të gjermanëve, të cilët kanë fituar 7 ndeshje. Dy ndeshje i kanë fituar spanjollët dhe po kaq ndeshje kanë përfunduar në barazim. Precedenti i fundit europian mes dy klubeve është një kapitull i errët në historinë e katalanasve: 8-2 fituan bavarezët ndaj ekipit të Setien në çerekfinalet e Championsit në gusht të 2020-ës. Një rezultat që i kushtoi largimin trajnerit dhe më pas solli një revolucion në klub, ku u larguan drejtorët sportivë Abidal dhe Planes, si dhe administratori Grau. Një vit më pas protagonistët ndryshuan. Pritet një rezultat ndryshe, por i njëjti spektakël i madh. Muzika e Championsit është gati për të magjepsur “Camp Nou”-n.

Luhen sot në mbrëmje edhe 7 ndeshje të tjera, ku Juventusi shkon në Suedi për t’u ndeshur me Malmoen, ndërsa Mançester Junajtid në Zvicër për të luajtur ndaj Jang Bojs. Luan edhe mbrojtësi i Kombëtares, Berat Gjimshiti, Atalanta e tij përballet në transfertë me Vilarrealin.

Ndeshjet e para në grup
Sot, ora 18:45
Sevilja-Salcburg
Jang Bojs-Mançester Junajtid
Ora 21:00
Barcelona-Bajern Mynih
Çelsi-Zenit
Dinamo Kiev-Benfika
Lilë-Volfsburg
Malmo-Juventus
Vilarreal-Atalanta


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë