Futboll

Champions/ Konfirmohet Marciniak, Haland sms Interit: Siti më ka marrë për tripletën!

Gazeta Si – UEFA ka konfirmuar arbitrin Szimon Marciniak për finalen e Ligës së Kampionëve mes Mançester Sitit dhe Interit. Polaku është mbrojtur nga akuzat e shoqatës 'Never Again' të Varshavës për pjesëmarrje në një event të liderit të ekstremit të djathtë.

Marciniak do të drejtojë finalen e Stambollit më 10 qershor. UEFA ka pranuar ndjesën e arbitrit. "Nuk e dija që eventi ishte organizuar nga një lëvizje e ekstremit të djathtë, do të refuzoja nëse do ta dija”, - ka thënë Marciniak në një njoftim të shpërndarë nga UEFA.

Erling Haland, sulmuesi i Mançester Sitit. Gazeta Si, 2 qershor 2023

Te Mançester Siti ndërkohë ëndërrojnë tripletën, atë që kundërshtari i tyre në finale, Interi, e fitoi në 2010-ën, me Mourinjon në stol. Pas titullit, ‘qytetarët’ duan edhe trofeun e ‘Fa Cup’ ndaj Junajtid dhe atë të Championsit ndaj Interit.

Erling Haland, ‘Këpuca e Artë 2023’ dhe rreziku numër 1 për mbrojtjen e Inzagit, i ka dërguar një mesazh të qartë Interit: "Do të ishte diçka ireale të fitonim ‘Treble’, - ka thënë norvegjezi për BBC, - edhe pse ky është motivi, për të cilin klubi më ka blerë. Nuk duhet të fshihemi dhe do të bëj gjithçka për ta realizuar. Kjo është ëndrra ime më e madhe, që shpresoj të bëhet realitet”.

“Nuk do të jetë e lehtë, - shton Haland. – Kemi dy finale ndaj dy skuadrave të mira, që janë gati të bëjnë gjithçka për të shkatërruar objektivin tonë, por nëse luajmë si duhet, kemi shanse të mëdha për të çuar në shtëpi të dy trofetë".

Në vitin e parë te Siti, Haland ka shënuar 36 gola në Premier Ligë dhe është zgjedhur ‘Lojtari më i mirë’ i vitit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë