Futboll

Champions/ Juventusi dhe Reali për fitoret e para, test anglez për Bajernin

Champions League rikthehet në mbrëmjen e sotme me xhiron e dytë të fazës së ndeshjeve në grupe. Luhen 8 ndeshje të grupeve A, B, C dhe D. Në fushë zbresin disa nga klubet më me emër, favoritë edhe për fitimin e kompeticionit. Juventusi, pas barazimit në Spanjë me Atletiko Madrid, pret gjermanët e Bajer Leverkusen dhe fitorja është detyrim, nëse bardhezinjtë nuk duan ta komplikojnë më tej situatën. Skuadra e Sarrit është favorite absolute për fitore në Torino, edhe pse me mungesa, ku veçohen Kielini, Dagllas Kosta, Danilo e De Shilio. Bajer Leverkuesen është mundur në ndeshjen e parë në shtëpi nga Lokomotiva e Moskës.

E domosdoshme është fitorja për Realin, që në “Santiago Bernabeu” pret belgët e Bryzh. Madrilenët vijnë pas humbjes së thellë me PSG-në dhe sot duhet të reagojnë me një fitore me sa më shumë gola. Ky sezon nuk po shkon mirë për gjigantët spanjollë dhe trajneri Zinedin Zidan është i rrezikuar prej disa javësh.

Toni Kros, i dëshpëruar pas humbjes së Realit ndaj PSG-së. Gazeta Si, 1 tetor 2019

Ndeshja më e fortë e mbrëmjes pritet të jetë ajo me Totenhemit dhe Bajernit të Mynihut. Skuadra e Poçetinos do të bëjë gjithçka për t’i mundur bavarezët. Anglezët kanë një pikë, pas barazimit me Olimpiakosin në Greqi, kurse Bajerni e ka fituar ndeshjen e parë me Cërvena Zvezdën. Luan sot edhe Atalanta e Gjimshitit, që pret Shakhtar Donjetsk. Mbrojtësi i Kombëtares pritet të jetë titullar në këtë ndeshje, ku bergamaskët duhet të tregojnë se e kanë merituar Championsion. Në ndeshjen e parë janë mundur thellë nga Dinamo Zagreb.

Ndeshjet e sotme
Atalanta-Shakhtar Donjetsk
Real Madrid-Bryzh
Crvena Zvezda-Olimpiakos
Gallatasaraji-PSG
Juventus-Bajer L.
Lokomotiv Moskë-Atletiko M.
Mançester S.-Dinamo Zagreb
Totenhem-Bajern M.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë