Futboll

Champions/ Interi për të mbyllur llogaritë, Bajerni përballë misionit të pamundur

Gazeta Si – Me shumë mundësi do të kemi derbin Milan-Inter në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Pas kualifikimit të Milanit ndaj Napolit, edhe Interi pritet të konkretizojë sot në mbrëmje kalimin në gjysmëfinale. Skuadra e Inzagit ka bërë një hap të madh përpara që në ndeshjen e parë, kur fitoi 0-2 në Portugali.

Megjithatë, janë edhe 90 minuta të tjera dhe Benfika nuk mund të nënvlerësohet kurrsesi. Manuel Rui Kosta, drejtues i klubit portugez, ka theksuar se Benfika do të luajë shanset e saj deri në sekondën e fundit.

Përgatitjet për këtë ndeshje kanë pasur edhe tension në kampin e Interit, ku një ditë para ndeshjes pati nëj zënkë mes Brozoviçit dhe Onanës. Trajneri Simone Inzagi ka zgjedhur dyshen Lautaro-Xheko në sulm. Titullar është edhe Brozoviç, ndërsa Asllani mund të ketë minuta në pjesën e dytë.

Pranë kualifikimit është edhe Mançester Siti i Guardiolës, që ka fituar 3-0 në ndeshjen e parë ndaj Bajern Mynih. Për bavarezët, duke parë edhe gjendjen që po kalojnë, duket një mision i pamundur kualifikimi, por ata nuk zbresin në fushë të dorëzuar.

Bajerni mbetet Bajern dhe sot do të tentojë mrekullinë në fushën e tij. Trajneri Tomas Tuhel ka të njëjtat mungesa, portierin Nijer dhe mbrojëtsin Hernandez. Guardiola në anën tjetër e ka skuadrën të plotë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë