Futboll

Champions/ Finale për Interin, Borusia duhet mundur me çdo kusht

“Të mos e ekzagjerojmë, nuk mund ta trajtojmë si një finale”, - ka thënë trajneri Antonio Konte në konferencën për shtyp para ndeshjes me Borusia Dortmund. Sigurisht, me këtë deklaratë ka dashur të largojë presionin nga të tijtë, sepse në të vërtetë është një finale kjo ndeshje e tretë në grup për Interin. Zikaltrit kanë vetëm një pikë pas dy ndeshjeve të para dhe sot në mbrëmje duhet të fitojmë medoemos në “San Siro” për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit.

Trajneri Konte i qëndron besnik filozofisë së tij të lojës dhe shpreson që të ketë sukses sot në mbrëmje. Mungesat në radhët e gjermanëve ia lehtësojnë disi punën, pse Borusias i mungojnë tre titullarë shumë të rëndësishëm. Marko Rojs, Pako Alkaser dhe Shmelcer nuk janë në dispozicion të trajnerit Favre, megjithatë Borusia mbetet një kundërshtar i fortë. Gjermanët kanë 4 pikë aktualisht dhe në ndeshjen e sotme me Interin do t’i kënaqte edhe barazimi.

Mbrëmjen e sotme zbresin në fushë skuadrat e grupeve E, F, G dh H. Inter-Borusia Dortmund është sfida më e nxehtë, ndërsa ndër ndeshjet më interesante është edhe ajo mes Ajaksit dhe Çelsit, një duel të rinjsh. Napoli luan në transfertën e Salcburgut, por Elseid Hysaj nuk është ende gati pas dëmtimit që pësoi në kampionat në ndeshjen me Torinon. Barcelona shkon në Pragë, ku ndeshet me Sllavian,kurse Liverpuli kampion në fuqi ndeshet me Genkun në Belgjikë.

Ndeshjet e sotme në Champions. Gazeta Si, 23 tetor 2019

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë