Analize

Çfarë po “gatuhet” këtë verë mes Serbisë dhe Kosovës?

“Pretendimi i Serbisë për ndarjen e Kosovës gjithmonë do të jetë i papranueshëm, por në kuadër të korrigjimit të kufijve duhet të shtrohet edhe kërkesa e Luginës së Preshevës për t’iu bashkuar Kosovës.” Ka mjaftuar kjo deklaratë në Facebook dhe një intervistë konfuze për “The Associated Press” që Presidenti Hashim Thaçi ta gjente veten në qendër të kritikave të zjarrta nga opozita në Prishtinë. Është hera e parë pas dhjetë vitesh pavarësi që një zyrtar i lartë shqiptar në Kosovë  akuzohet se po negocion ndarjen, por tani për tani askush nuk mund të thotë me saktësi së “çfarë po gatuhet” mes Beogradit dhe Prishtinës. A do ketë shkëmbim territoresh apo lëvizje kufijsh? Nëse po, kush është pala që po vendos pikat mbi "i"?

Fillimisht Thaçi hodhi poshtë idenë e ndarjes së vendit përgjatë vijave etnike, por situatën e bëri më  konfuzë duke deklaruar  për “AP” se ishte i hapur për të diskutuar " korrigjimim " e kufijve me Serbinë. Sipas presidentit, nuk do të ketë "ndarje, por një ndryshim kufijsh " që ndoshta do t’ia rikthente sërish Kosovës, Luginën e Preshevës.  Megjithatë Thaçi nuk përcaktoi nëse “korrigjimi i kufijve” do të përfshinte edhe shkëmbimin e Veriut të Mitrovicës, ku jetojnë shumica e serbëve të Kosovës. "Korrigjimin e kufijve" është interpretuar pothuajse menjëherë nga të gjithë kritikët e tij, sidomos nga LDK-ja, si konfirmimi zyrtar se në bisedimet maratonë mes Prishtinës dhe Beogradit po diskutohet ndarja e Kosovës. Teza për t’i dhënë Kosovës zonat me shumicë shqiptare në Serbinë Jugore, me kusht që Beogradi të marrë zonat me shumicë serbe në Kosovën e Veriut,  është ngritur herë pas here nga politikanë dhe qarqe të ndryshme mediatike. Por Thaçi ishte i pari që konfirmoi zyrtarisht se kjo çështje do të përfshihej në dialogun zyrtar Prishtinë-Beograd. Presidenti është kthyer tanimë në nismëtarin kryesor të idesë së shkëmbimit të territoreve,  pavarësisht se opozita dhe një sërë përfaqësuesish politike dhe akademikë kanë dalë kundër kësaj teze. Edhe pse e ka përmendur ketë marrëveshje, pothuajse në të gjitha daljet publike të kohëve të fundit, duket se askush në Kosovë nuk e ka të qartë se çfarë është duke “gatuar” Presidenti. Pas deklaratës së tij në Facebook rreth "korrigjimit të kufijve", deputeti i opozitës kosovare Ilir Deda akuzoi Thaçin se thjesht po përdorte fjalë të ndryshme për ndarjen, për ta bërë atë më të pranueshëm për opinionin publik. "Nuk ka pasur asnjë president në Kosovë që ka kundërshtuar kaq lehtë kufijtë e shtetit të tij, të cilat duhet ta mbrojë me mish dhe shpirt. Duhet të jetë e qartë për këdo se korrigjimi i kufijve është thjesht një eufemizëm për ndarjen e Kosovës dhe asgjë tjetër", tha ai.

Presidenti Hashim Thaçi

Thaçi ka bërë mjaft konfuz opinionin publik në Kosovë, por edhe me gjerë, duke këmbëngulur nga njëra anë se nuk do të ketë bisedime mbi ndarjen dhe duke sinjalizuar nga ana tjetër se do të ketë ndryshime kufijsh. Në një konferencë për shtyp, ai deklaroi se Kosova do të diskutojë kufijtë e saj me Serbinë, ashtu siç ka bërë të njëjtën gjë me vendet e tjera. Si për të treguar se po merr edhe mbështetjen nga radhët e opozitës, të mërkurën Thaçi u shfaq me një nga  njerëzit më të afërt të ish-presidentit Ibrahim Rugova. Sot në krye të Akademisë së Shkencave dhe Artit në Kosovë, Nexhat  Daci, ka qenë një nga figurat e rendësishme të LDK-së. Presidenti shkruante në Facebook se e informoi ish-politikanin e njohur për ecurinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se do të përfshinte në bisedime edhe çështjen e Luginës së Preshevës.

Serbia lobon në SHBA për ndryshimin e kufijve?

Serbia ishte e para që sinjalizoi shkëmbimin e territoreve me Kosovën, duke i hapur rrugën një debati të zjarrtë kombëtar, pavarësisht nervozizmit që do të sillte kjo temë në Beograd. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç deklaroi se Serbia nuk ka se çfarë të humbë më tepër dhe në fund të procesit nuk do të marrë më pak nga sa ka marrë nga Kosova. “Të shpëtojmë ç’të mundim dhe të humbasim sa më pak. Për këtë po luftojmë kur bëhet fjalë për Kosovën- deklaroi ai në një intervistë dhënë për Pink TV- Nuk kemi përballë vetëm shqiptarët, por kemi shumë vende të fuqishme Perëndimore që janë pas pavarësisë së Kosovës”.

Megjithatë, Administrata e re Amerikane duket se është kthyer në shpresën më të madhe të Serbisë për të dalë e fituar nga “beteja” aktuale me Prishtinën. “Reuters” raportoi më 31 korrik se Ivica Daçiç, ministri i Jashtëm i Serbisë, kishte folur për ndarjen dhe ndryshimin e kufijve me Kosovën, me dhëndrin e Presidentit Donald Trump, gjatë vizitës së tij të fundit në SHBA.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç

"Modeli i ndarjes është një nga propozimet që përmenda si një zgjidhje e mundshme, tani të gjitha letrat  janë hedhur në tryezë", deklaroi Daçiç pasi u takua me Jared Kushner, këshilltarin dhe dhëndrin e Trump. Kreu i diplomacisë serbe ishte në një vizitë dy-ditore në Shtetet e Bashkuara, ku sipas “Reuters”, ka lobuar fuqishëm për një shkëmbim të mundshëm territoresh mes Beogradit dhe Prishtinës.  Ministri i Jashtëm serb duket se ka përfituar  edhe nga bisedimet e favorshme me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Presidentit Trump, John Bolton, të cilat u mbajtën sipas tij,  nën një atmosferë shumë pozitive.  Por a është e mundur që Amerika të ketë ndryshuar vërtet qëndrim ndaj Kosovës? John Bolton, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Presidentit Trump, ishte një nga kundërshtarët më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës, në kohën kur ishte Ambasador i SHBA-ve në OKB.  Në vitin 2008 Bolton u shndërrua në zërin më të fuqishëm të skepticizmit ndaj pavarësisë së Kosovës, duke deklaruar se ajo do të ishte një rrezik i madh për stabilitetin  e rajonit dhe se do të përhapte separatizëm kudo në Europë. Dhe në fakt, emërimi i tij u prit me entuziazëm të jashtëzakonshëm nga serbët, të cilët shpresonin se qëndrimi i tij ndaj Kosovës do të zbuste edhe qëndrimin e Presidentit amerikan ndaj Serbisë. Duke parë rezultatet e vizitës së Daçiç në SHBA, mund të aludohet se Bolton nuk ka ndryshuar mendje në lidhje me Kosovën. Por a do të pasqyrohet kjo në politikën e jashtme amerikane?  Një sinjal mjaft shqetësues ka ardhur kohët e fundit edhe nga Ambasadori Amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i cili ngriti shqetësimet se SHBA-ja mund të miratojnë ndarjen e Kosovës.  I pyetur nga mediat në Prishtinë mbi qëndrimin e Shteteve të Bashkuara për ndarjen, Delawie u përgjigj se Kosova do të duhet të bjerë dakord për çfarëdo marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë.

Dialogu i sponsorizuar nga BE-ja do të përfundojë në 2019, kur të dyja palët do të kenë firmosur dokumente ligjërisht të detyrueshme. Serbia pritet të njohë formalisht Republikën e Kosovës në vitin 2020, kur të fillojë negociatat për kapitujt përfundimtar të anëtarësimit në BE.  Ndoshta Serbia do të largohet nga tryeza e bisedimeve me Mitrovicën në xhep, ndërkohë që Kosova do të ketë marrë Luginën e Preshevës. Por a do t’i jepte fund ky shkëmbim territoresh armiqësisë historike mes dy vendeve dhe a do të hapë kutinë e Pandorës në Ballkan?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë