Ne rrjet

Çfarë po gatuajnë Albini me Isën për Qeverinë e re në Kosovë?

Së çfarë po gatuajnë Albin Kurti dhe Isa Mustafa për Qeverinë e re të Kosovës, duket së as ata vetë nuk e dinë dhe jo më të këtë informacion dikush tjetër. Në ditën e konstituimit të Parlamentit, ata mbërritën pa një marrëveshje dhe kjo dihej.

Por, kur pritej shtyrja e seancës së votimit të kryeparlamentarit, Albin Kurti befasoi. Ai propozoi krahun e tij të djathtë në parti, Glauk Konjufcën, me të cilin ka rrugëtuar gjatë në opozitë, në protesta, ka provuar shkopin e gomës, apo edhe birucën e policisë. Posti i kryeparlamentarit i ishte premtuar LDK-së, por Albin Kurti veproi në një moment kur Isa Mustafa fliste për propozimet e fundit dhe se sipas tij, negociatat nuk kanë përfunduar. Por, ndërsa deputetët e LDK e votuan Konjufcën për të qenë në krye të parlamentit, nisi numërimi mbrapsht i 15 ditëve që Albin Kurti ka në dispozicion për të formuar qeverinë e re në Prishtinë.

Në këtë situatë, me jo pak tension, nuk mungoi edhe ironia e Isa Mustafës. Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë mbrëmjen e së enjtes se Vetëvendosja me siguri e ka menduar që t’u japë postin e kryeministrit, pasi ata e morën atë të kryeparlamentarit.

“Gjithçka është e mundur në këtë vend”, ka thënë ai në Rubikon të KTV-së.

Këtë zhvillim të ri ai tani do e shtrojë në forumet e LDK-së, ndërsa le të hapur mundësinë për ta votuar Qeverinë Kurti në Parlament dhe partia e tij të shkojë në opozitë.

“Çdo gjë është e hapur, edhe mundësia që të dalim në opozitë, ta bëjmë një opozitarizëm shumë të mirë, të suksesshme”, ka thënë ai.

Ndërkohë pas seancës së konstituitive të Parlamentit, i pyetur se a ka qenë në dijeni kryetari i LDK-së për propozimin e Vetëvendosjes për Glauk Konjufcën si kryetar Kuvendi, Albin Kurti tha se zgjedhja e tij nuk ka qenë befasi. Madje ai ishte optimist se do të gjendet zgjidhje edhe për formimin sa më të shpejtë të Qeverisë.

“Unë nuk e di kush sa ka qenë në dijeni, por nuk besoj që mund të ketë qenë befasi. Me interesin e përgjithshëm para çfarëdo interesi tjetër besoj që do t’i tejkalojmë të gjitha pengesat dhe të kemi Qeveri të re, ashtu siç patëm Kuvend të ri”, ka thënë Kurti, ndërsa konfirmoi se janë në kontakt të rregullt me LDK-në ndonëse nuk përmendi që do të kenë takim.

Nuk kanë munguar edhe akuzat nga radhët e Vetëvendosjes se ka një bashkëpunim të fshehtë të LDK-së me PDK-në e Kadri Veseli për ta nxjerrë jashtë lojë Albin Kurtin. Por, a është kjo e vërtetë dhe apo luan Isa Mustafa me dy porta?

Ndërkombëtarët po kërkojnë formimin sa më shpejt të qeverisë së re në Prishtinë, por mosdakordësia për çështjen e Presidentit, nga e cila Isa Mustafa nuk lëshon pe mund ta çojë Kosovën sërish në zgjedhje të parakohshme dhe Ramush Haradinaj të vijojë të jetë Kryeministër në detyrë, edhe pse ka dhënë dorëheqjen prej muajsh. A do ta zgjidhnin situatën dhe këtë krizë të re politike në Prishtinë zgjedhjet e parakohshme?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë