Politike

Ç’nxorri Korreshi nga shalqiri në Kuvend: ‘Surpriza’ e BE për qeverinë pas pezullimit të fondeve (video)

Nga Gazeta 'SI' - Deputeti demokrat i Lushnjës Saimir Korreshi, ka reaguar për ndërprerjen e fondeve të IPARD III për bujqësinë shqiptare, në mënyrën e tij të protestës.

I njohur për batutat për shalqirin, Korreshi shkoi këtë të enjte në parlament me një shalqi në dorë. Por nga brenda shalqiri ishte bosh. Prej andej Korreshi nxorri një kastravec, duke thënë se kjo është ‘dhurata’ e BE-së për qeverinë dhe për fermerin shqiptar.

“Jo se do kishin marrë fermerët ndonjë gjë të madhe nga fondi. Kaq i madh (sa shalqiri) ishte fondi dhe kjo ka ngel për fermerin (kastraveci), se çfarë kishte brenda i hëngri ministrja e Bujqësisë me AZHBR-në. Simboli që ju ka lënë dhuratë IPARD 3 të gjithë shqiptarëve. Sepse kjo qeveri hajdute, ishallah s’ka ardhur ajo ministrja sot, se kush vjen e zëvendëson në behar, nuk i meriton votat e këtyre njerëzve (as atyre që ua vodhi, e as atyre që ua dhanë me dëshirë) se përditë e më keq po na nxjerr botën kudo që ne përfaqësohemi”, tha Korreshi për ministren e Bujqësisë Frida Krifca.

Pak javë më parë, Korreshi shkoi në parlament me një ‘buqetë’ gruri po për ministren Krifca, lidhur me situatën problematike që po hasin fermerët shqiptarë në shitjen e kësaj kulture.

Më vonë, ai i ka zhvilluar një debat verbal me Frida Krifcën ku nuk u kuptua për mediat sa kohë deputetët e PD-së ishin ngritur të gjithë në këmbë rreth foltores së Kuvendit për një tjetër çështje që lidhej me rendin e ditës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë