Elbasani u zgjua i rrethuar nga forca policie që jo vetëm ngritën postblloqe në hyrje dhe dalje të qytetit, por kontrolluan disa banesa me shpresën se do të gjejnë vendin ku fshihet Klement Xhaferri, i pranishëm në vendin ku u vra Pjerin Xhuvani dhe një mbështetës i Partisë Socialiste i njohur për të shkuarën kriminale. Mbas krimit ku autor ishte një mbështetës i Partisë Demokratike, ish-oficeri Arbër Papleka, orë pas ore numri i të shoqëruarve shkoi në 47 persona, kryesisht banorë të qytetit të Elbasanit, të cilët gjendeshin në lagjen pesë maji ku u vra Pjerin Xhuvani si dhe mbeti i plagosur dhëndri i tij, Eltion Bodinaku, po ashtu mbështetës i Partisë Socialiste, ndërsa nga krahu tjetër u plagosën Emiliano Prenga dhe Pavlo Vuksani anëtarë të shtabit të PD.
Në lagjen pesë maji banorët nuk flasin. Mes mureve të shkruara me slogane të partive të ndryshme, policisë që mban shiritat në rrugën ku ndodhi përplasja shumica e tyre pranojnë vetëm se kanë dëgjuar krismat, por asgjë tjetër.
Edhe në polici mbi 20 prej tyre, kanë pohuar copëza të parëndësishme për hetimin.
Arjan Hoxha një ish-zyrtar policie, i cili bën pjesë në grupin e ish-policëve që udhëtuan drejt Elbasanit si pjesë e shtabit të PD, ishte njëri ndër të shoqëruarit që edhe në orët e para të paradites vazhdoi të mbahet i shoqëruar. Edhe ai u mor në pyetje për të treguar se përse së bashku me ish -oficerin Arbër Papleja gjendeshin në Elbasan.
“Mbërritëm në Elbasan rreth orës 11 të paradites, mbasi u ngrit grupi i mbrojtjes së votës. Po qarkullonim në qytet kur morëm informacion se në lagjen 5 maji një automjet po shpërndante para. Njoftuam policinë”, mësohet të ketë rrëfyer ish-zyrtari i policisë Hoxha.
Por ndërkohë i pyeturi tjetër Muhamet Greca, mbështetës i PS, edhe ai i shoqëruar dhe që ende nuk është vendosur se çfarë do të bëhet me secilin nga personazhet në përplasje pohon të kundërtën.
“Po kthehesha në shtëpi. Më ndaluan dhe kontrolluan, këmbëngulnin që kisha karta identiteti dhe para që po i shpërndaja. Më pas kur nuk gjetën asgjë, më pyesnin se përse po ju bëja fotografi”, thotë nga ana e tij Greca.
Ky incident ka zgjatur rreth 15 minuta bazuar në dëshmitë e të shoqëruarve dhe ndërkohë nuk shpjegohet se si teksa grupi i mbrojtjes së votës po priste policinë, njëkohësisht me të mbërriti dhe grupi mbështetës i Grecës.
“Në këtë grup bënte pjesë Pjerin Xhuvani dhe dhëndri i tij, Klement Xhaferri dhe disa persona të tjerë. Sipas të dhënave janë përplasur me fyerje dhe ofendime duke kërcënuar, nga njëra anë Xhuvani dhe nga ana tjetër Papleka. Ky ka qëlluar i pari drejtpërdrejt në drejtim të Xhuvanit, dhe kundërpërgjigjja ka qenë e menjëhershme nga ana e Klement Xhaferrit, një njeri problematik po ashtu me ligjin”, përshkruan policia për Gazetën “Si”.
Në vendngjarje janë administruar 20 gëzhoja, por ende nuk specifikohet se sa prej tyre janë qitur nga arma me leje e ish-oficerit të RENEA-s, Arbër Papleka dhe sa nga arma e Klement Xhaferrit, i njohur ndryshe si Kel Cami dhe po ashtu anëtar i grupit të Suel Çelës.
Elbasani dhe partitë
Partitë, politika ato e kthyen qytetin të pasigurt thotë nëpër dhëmbë Ervisi, i cili pranon për gazetën Si se dëgjoi të shara poshtë apartamentit të tij, njëri bërtiste do të vras dhe një tjetër përgjigjej qëllo. Por ai nuk u bë kurioz që të dilte në dritare, pasi siç tregon i riu, në dy zgjedhjet e fundit qyteti është kthyer një mine me sahat. “Këta befasohen dhe të gjithë ngrenë duart, por të gjithë e dinë, ja më thuaj pse policia nuk mundi ta shuajë konfliktin ku u mbeti e plagosur edhe policja e tyre. Pse nuk e arrestuan menjëherë Kel Camin, apo kanë frikë të ndërhyjnë dhe mbasi ai u largua si përherë e shpallin në kërkim?”, pyeti i riu elbasanas. “Po ndodh kështu, grupet i janë afruar partive dhe bëjnë gjithçka, jo vetëm për të kërkuar vota, por edhe duke kërcënuar dhe kjo është e frikshme për qytetin tonë dhe banorët. Ndaj askush nuk flet, por të gjithë e dinë se kush gjendet pas tyre. Është politika dhe ata kanë emër”.
I riu emrin e të cilit gazeta “Si” e ndryshoi për të mos e rrezikuar këmbëngul se situata vazhdon të jetë e tensionuar në qytet aq më tepër në lagjen “Pesë Maji”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.