Drejtësia

Vrasja e Pjerin Xhuvanit, gjyqi ndaj Arbër Paplekajt do të zhvillohet në Elbasan

Gazeta Si - Procesi gjyqësor Arbër Paplekajt për vrajën e Pjerin Xhuvanit më 21 prill 2021, do të zhvillohet në Elbasan, pasi Gjykata e Lartë vendosi se nuk do të transferohet në asnjë qytet tjetër.

Me këtë vendim, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e transferimit që ishte bërë nga i pandehuri kryesor i kësaj vrasjeje dhe pranoi konkretisht të gjitha arsyet e deklaruara nga avokatja Rezarta Tahiraj që përfaqëson të drejtat e të afërmve të viktimës.

Seanca në Elbasan nuk ka një datë se kur do të nisë, pas kërkesës për përjashtim që solli zëvendësimin e gjyqtarit Elis Dine me Elton Frashërin, dhe ky i fundit kërkon kohë të mjaftueshme për t’u njohur me përmbajtjen e dosjes.

Pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit, nga një përplasje me armë mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, ish-kryetar i LSI-së në Elbasan dhe më pas

simpatizant aktiv i Partisë Socialiste në këtë degë.

Më herët, Xhuvani u akuzua nga Partia Demokratike si organizator i përplasjes me simpatizantët e PD-së në Ditën e Verës në datën 14 mars të atij viti.

Si autor i vrasjes u arrestua pikërisht Arbër Paplekaj, ish-pjesëtar i forcave RENEA dhe truproja i Gazment Bardhit, atëherë koordinatori i Partisë Demokratike në Elbasan.

Të plagosur mbetën Eltjon Bodinaku 32 vjeç; Emiljan Prenga, 39 vjeç; Pavlo Vuksani 50 vjeç, dhe punonjësja e policisë Xhensila Sota 27 vjeçe.

Ish-nëndrejtorët e policisë vendore, Nikollaq Palla dhe Albert Nushi, janë nën hetim pasi akuzohen se dështuan të parandalonin përplasjen e dy grupeve, ndërsa 6 efektivë të Forcës Shqiponja të përjashtuar u rikthyen në detyre nga Gjykata e Apelit Durrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë