Drejtësia

Dosja për vrasjen e Pjerin Xhuvanit shkon në gjyq, Arbër Paplekaj merret i pandehur

Gazeta Si - Dosja për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, disa ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, ka shkuar në gjyq.

Prokuroria e Elbasanit ka mbyllur hetimet dhe ka marrë të pandehur Arbër Paplekën me akuzën e vrasjes së Xhuvanit.

Paplekaj ishte pjesë e strukturës së mbrojtjes së votës në qytetit e Elbasanit, ku drejtues politik i Partisë Demokratike ishte Gazment Bardhi.

Prokuroria ka dërguar për gjykim edhe dy zv/drejtorët e policisë Nikollaq Palla dhe Albert Nushi si edhe 6 efektivët e forcave “Shqiponja”, të cilët akuzohen të gjithë për shpërdorim detyre.

Po ashtu organi i akuzës bën me dije se vijojnë hetimet për Kelmend Xhaferin për akuzën e vrasjes.

Sipas burimeve zyrtare, prokurorët e çështjes kanë pushuar akuzat për armëmbajtje pa leje, tentativë vrasje të punonjësve të policisë, vjedhje me dhunë dhe heqje e paligjshme e lirisë për Arbër Paplekaj.

Po ashtu pushim i akuzës heqje e paligjshme e lirisë, është kërkuar  për të gjithë anëtarët e strukturës për mbrojtjen e votës.

Gjatë përplasjes që ndodhi pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit, mes simpatizantëve të dy forcave politike, humbi jetën Pjerin Xhuvani si dhe u plagosën 4 persona të tjerë, mes tyre edhe një punonjëse policie që ndodhej në vendngjarje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë