Mendim

Çfarë konsiderohet grumbullim, me më shumë se 10 veta…?!

Për të shkuar deri tek zyrat e punës, më duhet të përshkoj ca rrugë. Dhe jo pak. Kjo ka edhe anën pozitive se përpos faktit që i mbush mendjen vetes se ecja të bën mirë, shikon edhe përreth se çfarë ndodh.

Dhe gjëja që më bën më shumë përshtypje në këtë kohë "vigjilence" ndaj "armikut" të padukshëm janë grumbullimet.

Ky fenomen merr një trajtë ditore thuajse të palëvizshme. I vetmi që lëviz jam unë. Dhe kryesisht në anën e kundërt të grumbullimeve.

Psh..., nuk numëroj një ditë që radha e shtrirë deri në fund të trotuarit (shyqyr që ka rastisur me bollëk) të mos jetë më pak se 20 syresh, kryesisht me maska që lëvizin nga vendi në gjendje tensioni duke bërë do hapa para e do pas, para derës së një prej laboratorëve privat të analizave. Çdo ditë i njëjti fenomen. Grumbuj njerëzish derdhur si pellg që presin të bëjnë analizat e gjakut.

I vetmi ritual që ndryshon në sytë e mi është vetëm semafori tringjyrësh dhe unë që kujdesem të kaloj sa më larg turmës, mundësisht në anën tjetër të rrugës (a thua se gjithë ata që janë lëshuar para klinikës, kanë vërshuar për tampon dhe po largohem nga një vatër e “nxehtë” virusi)...

Eci më tutje, rreth 2 km më poshtë. Edhe aty e njëjta situatë. Por jo për analiza. Grumbuj fëmijësh që kanë mbaruar turnin e parë që dalin nga shkolla dhe prindërit mbi 10 e kusur në numër ngjeshur pas kangjellave... Fëmijë të të gjitha moshave, njëra nëntëvjeçare dhe tjetra përballë plot me gjimnazistë, shumë më të shkujdesur nga masat, mbushur oborrin e shkollës në kohë pushimi. 

Aty nuk di si t’i shmangem grumbullimit të panumër sepse më rastis bash në mes të dy shkollave rruga.

S’kam shkuar ende në punë dhe para syve më kalojnë nja tre a katër stacione autobusi. Grumbullime në masë në stacion për të mos thënë pastaj brenda në autobus. Ngjeshur njerëzit nën frymën e njëri- tjetrit, me maska pa maska, sa vonë... shumë vonë, do më shkojë ndërmend të marr transportin publik.

Mbërrij në zyrë dhe në fund të ditës, ende pa dalë, dëgjoj një vendim të fundit të komitetit teknik dhe ajo që i bën më shumë përshtypje veshit tim është vendimi për të ndaluar grumbullimet mbi 10 veta në vende të mbyllura dhe të hapura deri në një urdhër të dyte.

Prej atij momenti me fanepsen pyetjet thuajse pa vetëdije... Po radhët e gjata para laboratorëve privat që i shikoj çdo ditë si quhen? Po njerëzit ngjeshur me njeri tjetrin brenda në autobus si quhen? Po mësimi në shkolla me mbi 10 nxënës në klasë pavarësisht masave, në 9 vjeçare apo gjimnaz qoftë, si quhen...? Po grumbullimet e prindërve para dyerve të shkollës si quhen?

Me këto hamendje pyetjesh marr rrugën për shtëpi...

Ndaloj për të porositur diçka të shpejtë apo siç i themi rëndom fast food. Dhe çfarë shoh? Njerëz të ulur ngjeshur me njëri- tjetrin me ata që njihen dhe nuk njihen nga tavolinat që nuk i ndan as centimetri, mbi 30 syresh në një nga fast-food-et me të frekuentuara në bllok. As nuk qasem aty dhe marr rrugën për shtëpi. Fiks tek Vesa Center të rinj që punojnë në një call-center (plot 13) që kanë dalë të pinë cigare përjashta, edhe ata grumbull me njëri tjetrin se helbete edhe temperaturat kanë rënë...

Shoh të njëjtin fenomen përsëritës me radhën në pritje për autobusin e linjës dhe i shtoj pyetje të tjera vetes. 

Po ata që hanë brenda ambienteve të restoranteve ku nuk respektohet asnjë distancë tavoline dhe ku ka më shumë se 10 klientë si quhen? Po të rinjtë në masë (që nuk sheh pak) nëpër trotuare pa maskë duke pirë duhan në kohën e pushimeve të shkurtra nga rrjetet e  Call-Center si quhen? A nuk quhen grumbullime edhe këto mbi 10 veta? Apo komiteti teknik ka parasysh vetëm ato grumbullimet protesta mbi 10 veta që fatkeqësisht sheh rrallë e më rrallë në këtë vend...

Kështu që para së të nxjerrin një vendim të përkthyer copy-paste nga vendet simotra le të dalin njëherë nëpër rrugë dhe të bëjnë një vëzhgim fare të thjeshtë për të kuptuar se ai grumbullimi me mbi 10 veta mund të ketë sens në vende ku respektohen edhe hallkat e tjerë të zinxhirit anti-Covid... Por jo në Shqipëri. Se ndryshe, i bie që me këtë vendim, policia të na bëjë hatanë.../ N.P


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë