Analize

Çfarë është Ligji i Sheriatit dhe si do ta përdorin talebanët?

Talibanët e kanë bërë të qartë se planifikojnë të sundojë Afganistanin në përputhje me Ligjin e Sheriatit. Gjatë qëndrimit të tyre të mëparshëm në pushtet, grupi militant ishte i njohur për interpretimin e rreptë të ligjit islamlik, duke ndaluar muzikën dhe duke detyruar gratë të mbanin një burkë të plotë në publik. Por shumë vende përveç Afganistanit, mes tyre Arabia Saudite, Irani dhe pjesë të Indonezisë dhe Nigerisë, gjithashtu përdorin sheriatin për kufizime të tilla. Pra, çfarë është sheriati dhe si zbatohet?

Sheriati do të thotë "shteg" në arabisht, duke treguar sjelljen që i pëlqen Perëndisë. Ai mbulon të drejtën penale, tregtare dhe familjare, por është shumë më i ashpër sesa sistemet juridike laike. Ai gjithashtu përcakton rregullat etike sipas të cilave myslimanët duhet të synojnë të jetojnë dhe adhurojnë. (Një kod i ngjashëm që rregullon çështjet ligjore dhe etike, ekziston në Judaizëm.) Sheriati bazohet mbi Kuranin, librin e shenjtë të Islamit dhe thëniet e profetit Muhamed si dhe punën e mëvonshme të dijetarëve juridikë islamikë. Ekzistojnë disa ndëshkime shumë të ashpra për krimet që konsiderohen kundër Zotit (të njohura si hudud), përfshirë vdekjen me gurë ose 100 goditje me kamxhik për shkelësit e kurorës. Në rastin e tradhtisë bashkëshortore, katër dëshmitarë duhet të dëshmojnë. Ndëshkimi për krime të rënda kundër njerëzve, siç është vrasja, gjithashtu mund të jetë i rëndë, bazuar në parimin e kisasit, ose "një sy për një sy". Por Islami i inkurajon viktimat që të jenë të mëshirshëm dhe të kthejnë “faqen tjetër”.

Sheriati është në vetëvete udhëzimi i kërkuar nga myslimanët se cilat aspekte të përditshmërisë janë konform rregullave të fesë. 

Për shembull, një mysliman është në mëdyshje se çfarë të bëjë nëse një koleg e fton pas pune në lokal, ai mund t’u drejtohet dijetarëve të fesë për këshillë për t’u siguruar nëse kjo nuk është në shkelje me besimin.

Ligji i Sheriatit i ndan shkeljet në dy kategori të përgjithshme: shkelje “hadd”, të cilat janë krime të rënda me dënime të ndryshme dhe shkelje “tazir”, ku dënimi u lihet në dorë gjykatësit, që quhet kadi.

Shkeljet “hadd” përfshijnë vjedhjen, e cila mund të dënohet me prerje të dorës së autorit, dhe po kështu tradhtinë bashkëshortore, e cila mund të ndëshkohet me dënimin me vdekje duke u qëlluar me gurë.

Organizata të ndryshme fetare argumentojnë se për shkallën e ndëshkimeve të shkeljeve “hadd” kërkohet një barrë e madhe provash. OKB është shprehur kundër ekzekutimeve me gurë, duke thënë se “ato janë torturë, trajtim mizor, çnjerëzor dhe poshtërues ndaj dhe duhen ndaluar”.

Pak shtete myslimane aplikojnë dënime të tilla, dhe sondazhet tregojnë se qëndrimet e besimtarëve ndaj këtyre dënimeve ndryshojnë shumë nga vendi në vend.

Si merren dhe nga burojnë vendimet?

Si çdo sistem ligjor, edhe sheriati është kompleks dhe cilësia e zbatimit të tij varet nga niveli dhe mënyrës së përgatitjes së atyre që e ofrojnë ekspertizën.

Ata që nxjerrin udhëzimet dhe vendimet janë dijetarët e fesë islame që merren me anën juridike. Udhëzimi që konsiderohet një vendim ligjor formal quhet fetva.

Ekzistojnë pesë doktrina, apo drejtime të ndryshme që përdoren si bazë për interpretimin e ligjit të Sheriatit. Këto janë studiuar ndër vite në shkollat fetare të Islamit.

Sheriati është bazë e jurispundencës në Arabinë Saudite, Iran, Kuvajt, Katar, Bahrein etj. Por në secilin prej këtyre vendeve përveçse aplikohen doktrina të ndryshme, ka edhe ndryshime që rrjedhin nga kultura apo tradita lokale e popujve që jetojnë në këto vende.

Traditat lokale integrohen te sistemi i sheriatit dhe në rastin e Afganistanit, ky sistem ndërlidhet me traditat pashtune që bazohen më së shumti te e drejta fisnore. Kjo e bën Sheriatin në Afganistan të ndryshëm. /The Economist/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë