Politike

Çështja “Alvin”, opozita e re interpelancë urgjente me Ramën

Çështja e shqiptarëve në Siri në zonat e luftës ka detyruar opozitën e re të thërrasë në interpelancë urgjente ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme. Nisma për interpelencë urgjente është bërë publike nga deputeti Andi Përmeti. “Sot i drejtova Kuvendit të Shqipërisë një kërkesë për interpelancë urgjente me Ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, me objekt: "Kërkesë për shpjegime lidhur me rastin e Alvin Berishës, djalit 11-vjevcar që ndodhet i vetëm në kampet e Sirisë”, shprehet Përmeti. Deputeti i opozitës bën të ditur se rasti i bërë publik nga emisioni italian "Le Iene", ku dukej qartazi që mjaftonte vetëm vullneti i shtetit shqiptar për të rikthyer Alvinin pranë familjes.
“Një rast i cili nuk mund të lihet në heshtje. Çdo prind duhet të vendosë veten në vendin e Afrimit dhe duhet t’i kërkojë llogari qeverisë se çfarë masash po merr në rastin konkret dhe sa kohe do t’i duhet Alvinit të bashkohet me familjen. Faleminderit edhe për kolegët e mi, Alban Zeneli, Arben Elezi, Arlind Çaçani, Korab Lita, Halil Jakimi, Koçi Tahiri, Kostaq Papa të cilët iu bashkuan iniciativës sime”, thekson Përmeti.
Kërkesa e siguruar nga Gazeta "Si", bazohet në nenin 80, pika 1 e Kushtetutës dhe në nenin 97 të Rregullores së Kuvendit dhe është firmosur nga 7 deputetët e sipërcituar.

Kërkesa e 7 deputetëve të opozitës firmosur për interpelancë


“Ky rast i bërë publik nga emisioni italian “Le Iene” ku pretendohej se duhej vetëm vullneti i ambasadorit shqiptar në Turqi për ta risjellë djalin pranë familjes. Çfarë po ndodh me këtë rast dhe cilat janë masat konkrete që po merr shteti shqiptar për rastin e Alvinit dhe raste të ngjashme me të”, thuhet në kërkesën e firmosur nga 7 deputetët. Sipas kërkesës së firmosur, në këtë interpelancë duhet të paraqiten kryeministri Edi Rama, i cili mban njëherësh edhe postin e ministrit të Jashtëm. Rama kompetencën e mininistrit të Jashtëm ia ka deleguar Gent Cakajt dhe mbetet për t’u parë nëse interpelanca pranohet dhe se cili zyrtar do t’u përgjigjet deputetëve të opozitës në seancën parlamentare.

Alvin që ndodhet në kampet e Sirisë, gjatë emisionit të transmentuar nga emisionit televiziv "Le Iene"


Në kërkesë ndërkaq nënvizohet se "Afrim Berisha, babai i vogëlushit, thotë se institucionet shqiptare po bëjnë çmos për djalin e tij, të cilin ai e gjeti në Siri përmes emisionit investigues italian 'Le iene" por që nuk mundi ta nxjerrë dot nga kampi që është nën pushtetin e kurdëve". "Afrim Berisha thotë se me kontaktet që ka në kampin Al-Hol, Alvini ndodhet sërish aty", thuhet në material. Kryeministri Edi Rama në një konferencë të disa ditëve më parë, pati deklaruar se ka nxjerrë një urdhër, një material të klasifikuar, që nuk mund ta ndajë dot me publikun për shkak të sensibilitetit të lartë, lidhur me personat, familjet, individët, që gjenden në atë territor si pasojë e përfshirjes së burrave në luftën e ISIS.

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj


“Tërheqja e tyre në ato kampe nuk bëhet as me ambasada e as me ambasadorë, sepse aksesi dhe i gjithë procesi është tejet i komplikuar dhe kërkon një koordinim me partnerët. Ne kemi punuar intensivisht. Kemi një plan të tërë veprimi, të rakorduar me partnerët tanë kryesorë. Kam komunikuar dhe me të afërmit, edhe babanë e djalit dhe ia kam sqaruar se kjo është një çështje që nuk varet nga ne. Nuk është çështje e strukturave tona diplomatike, sepse nuk bëhet fjalë për kampe refugjatësh të zakonshme”, deklaroi Rama, i cili shtoi se është në konsulta me partnerët si SHBA dhe edhe me autoritetet turke, për të grumbulluar informacion dhe hartuar një plan për nxjerrjen e shtetasve shqiptarë nga ky kamp.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë