Ne rrjet

Certifikatat e vaksinimit, debati mbi kushtetueshmërinë dhe a funksionojnë vërtet?

Izraeli po mendon shfuqizimin e të ashtuquajturave certifikata të vaksinimit, që edhe para këtij debati zyrtar ishin një formalitet që nuk përputhej me atë se çfarë ndodhte në realitet, ku shoqëria e respekton pak ose aspak.

Debati ka lindur nga absurdi që shoqëroi certifikatën që nga fillimi, ku u ndalohej hyrja nëpër ambiente publike të hapura dhe të mbyllura fëmijëve, që ligjërisht ishin jashtë skemave të vaksinimit, apo personave të rritur që nuk ishin vaksinuar ende me të dyja dozat për shkak se nuk ishin pjesë e grupeve të riskut.

Në të vërtetë, kafenetë dhe ambiente të tjera ishin plot me fëmijë, duke shpërfillur gjerësisht certifikatat e vaksinimit. Mekanizmat për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij rregulli thuajse nuk ekzistojnë fare dhe për sa kohë rastet e reja me Covid ishin në rënie, askush nuk shqetësohet për të kërkuar këtë certifikatë.

Kur mori këtë vendim, Qeveria izraelite e mbështeti me rezultatin e sondazheve, sipas të cilave shumica e qytetarëve e mbështesnin idenë e certifikatës së vaksinimit. Por, siç duket njerëzit të tjera thonë e të tjera bëjnë.

Mediat izraelit thonë se dyqanet dhe ambientet e tjera publike të hapura dhe të mbyllura që kërkonin pasaportë vaksinimi është një minorancë e papërfillshme, ndaj nëse sondazhet do të kishin të drejtë, atëherë shumica pro certifikatës do të kishte detyruar edhe pjesën tjetër të ambienteve që ta kërkonin këtë dokument.

Çfarë do të thotë? Izraeli është shembulli tipik që tregon se si vendime që në praktikë shoqëria nuk i zbaton, përkundrazi e quan si poshtërues e tiranikë duhen menduar dy herë para se të ndërmerren. Të njëjtin fat mund të kenë edhe vendime të ngjashme kudo në botë, prandaj numri i vendeve skeptike për funksionimin e certifikatave të vaksinimit nuk është i papërfillshëm.

Debati i fundit është ngritur në Parlamentin britanik, që thotë se kjo certifikatë, me anë të së cilës hyjnë tifozët në stadiumet ku luhen ndeshjet e europianit është diskriminuese mbi baza racore, prejardhjeje, statusi shoqëror e fetare.

“Çdo certifikatë vaksinimi, çdo sistem vaksinimi do të jetë diskriminues mbi baza racore, fetare dhe moshe. Sinqerisht, Qeveria duhet të heqë dorë nga çdo ide për të lëshuar pasaporta, apo certifikata vaksinimi”, thuhet në një raport të Komitetit të Administratës Publike dhe Çështjeve Kushtetuese në Parlamentin britanik.

Pavarësisht këtyre rasteve, Bashkimi Europian do të vijojë përpara me këtë ide dhe certifikata e vaksinimit do të hyjë në fuqi duke filluar nga data 1 korrik dhe mbetet për t’u mësuar nëse do të funksionojë, apo do të ketë të njëjtin fat me rastin e Izraelit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë