Ngjarje

Nëna e Kacifas, thirrje antishqiptare: Vorio-Epiri është Greqi

Në fshatin Bularat u mbajt mesha përkujtimore me rastin e përvjetorit të parë të vdekjes së ekstremistit grek, Kostandin Kacifas, në praninë e madhe të mediave greke dhe shqiptare.
Mesha u zhvillua përgjithësisht e qetë, ndërsa para varrit të djalit të saj, nëna e tij duke folur në prani të shumë njerëzve bëri thirrje për vrasje, dhunë e luftë. Ajo i ka cilësuar tradhtarë shqiptarët dhe ka bërë thirrje kundër ndaj tyre.
Duke folur në greqisht, ajo thotë se Vorio-Epiri është Greqi, dhe se rinia duhet të ngrihen të armatosur kundër një shteti që ajo e quan diktaturë.
“Djali im, trimi im, jemi grek, autoktonë, në këtë tokë jemi grek autoktonë, jemi ortodoksë, asnjëri nuk mund të prekë krishterimin tonë dhe kombin tonë. Jemi grekë. Përse i ndaluan njerëzit të vijnë në Kakavijë? Se janë tradhtarë. Çojuni trima, rrëmbeni tokën, jemi grekë autoktonë. Vorio-Epiri është tokë greke, nuk na ndalon asgjë. Ju të gjithë të rinjtë, çohuni rrëmbeni shpatat dhe armët, mos kini frikë asgjë, se këta po na frikësojnë, këtu ka diktaturë nuk ka shtet, rrëmbeni bombat, rrëmbeni pushkët. Rroftë bashkimi”, është shprehur nëna e Kacifas.


Ceremonia përkujtimore u zhvillua nën praninë e shumë shqiptarëve dhe grekëve që kishin ardhur në fshat. Forca të shumta policore ishin pozicionuar në Gjirokastër e në pjesë të tjera të Jugut, kryesisht në zona kufitare për të shmangur cdo incident të mundshëm.
Për të marrë pjesë në ceremoni gjatë dy ditëve të fundit rreth 1800 persona kanë hyrë në Kakavijë.

Gjatë ceremonisë të afërm të Kacifas u treguan tej mase të revoltuar me mediat shqiptare dhe u kërkuan gazetarëve të pranishëm që të largoheshin.
“Ikni zhdukuni. Nuk ju duam ne.. ju nuk na doni. Ikni qërohuni këtej”, është shprehur një familjar.

https://www.youtube.com/watch?time_continue=5&v=LSlIh_opEyQ

Ndërsa, një banor i fshatit Bularat duke folur në greqisht u shpreh: “Nuk keni të drejtë të na filmoni, ju jeni turq nuk jeni shqiptarë”.
Në Bularat ishte edhe kreu i Omonia-s, Fredi Bejleri. Ai është shprehur për mediat se dhe pas një viti nuk është sqaruar arsyeja pse u vra Kacifas.
Ndër të tjera, Bejleri ka hedhur akuza ndaj Shqipërisë, që sipas tij nuk respekton të drejtat e njeriut.

“Pas një viti ende nuk është sqaruar situata, arsyeja pse u vra. Janë kthyer dhjetëra persona në Kakavijë. Shqipëria që do të hyjë në Europë, por nuk respekton të drejtat e njeriut. Ka një klimë terrori në minoritet dhe kjo është arsyeja pse nuk erdhën njerëzit”, u shpreh Bejleri.
Në Bularat për të marrë pjesë në ceremoni ka mbërritur edhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili tha për mediat pas meshës dhe homazheve në varrin e Kacifas, se e vërteta duhet të dalë për familjen dhe komunitetin.
“S’kemi ende asnjë relacion për këtë ngjarje tragjike. Kujt i intereson që ngjarja të mos zbardhet? E vërteta duhet të dalë për familjen dhe komunitetin. Të insistojmë të zbardhet e vërteta”, tha Dule nga Bularati.
Prej disa ditësh janë marrë masa të forta sigurie për ndalimin e hyrjes së ekstremistëve grekë ose shtetas të shpallur “non grata” në Shqipëri. Mbrëmjen e kaluar, Policia shqiptare ktheu mbrapsht në kufi ekstremistin grek, Babis Karathanos, që u përpoq për të hyrë në Shqipëri me rastin e 1-vjetorit të Kostandin Katsifas.

35-vjeçari Kostandinos Kacifas mbeti i vrarë më 28 tetor të 2018-s gjatë një përplasje me armë me policinë shqiptare në fshatin Bularat.
Gjatë festimeve për festën kombëtare të Greqisë, Kacifas qëlloi me armë në ajër dhe pasi pa që po afrohej patrulla e policisë, hapi zjarr dhe ndaj makinës së tyre. Pas disa orëve zjarr, policia arriti të qëllonte mbi 35-vjeçarin. Rasti “Katsifas” shkaktoi reagime në Athinë, ndërsa autoritetet shqiptare thanë se shpallën dhjetëra persona “non grata”.

Të hënën ceremonitë në Bularat dhe Këlcyrë për ushtarët grekë

Athina zyrtare deklaroi se një delegacion i saj do të jetë i pranishëm në ceremonitë përkujtimore të të rënëve në luftën italo-greke, ceremoni të cilat do të zhvillohen të hënën. Ceremonia e parë në datë 28 tetor është në orën 10.00 në varrezën ushtarake të Këlcyrës. Ndërsa ceremonia e dytë do të zhvillohet në varrezën historike dhe ushtarake të Bularatit në orën 12.45. Pala greke në këto ceremoni do të përfaqësohet me  zv-ministrin  e Jashtëm, përgjegjës për çështjet e diasporës, Andonis Dhiamataris dhe ambasadores greke në Shqipëri, Sofia Filipidhu. Ministria e jashtme Greke, bën me dije se ceremonitë do të zhvillohen ne bashkëpunim me palën shqiptare, siç parashikohet në traktatin e bashkëpunimit për kërkimin, identifikimin dhe rivarrimin e të rënëve të luftës, firmosur prej dy vendeve dy vjet më parë. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë