Politike

Censusi i popullsisë rrezikon të shtyhet për shkak të tërmetit

Qeveria mund të shtyjë realizimin e censusit në Shqipëri. Prej mëse një viti në Parlament është depozituar projektligji i qeverisë që do të realizojë regjistrimin e popullisisë, që njihet ndryshe dhe si census, e që shoqërohet edhe me pyetje të tjera sa u përket rezultateve për pasuritë, apo regjistrimin e banesave, punësimit, apo dhe ajo vetdeklarimit të besimit fetar.
Censusi që do të kryhet nga Instituti i Statistikave (INSTAT), realizohet një herë në dhjetë vite dhe i shërben qeverisë për marrjen e vendimeve për politikat makroekonomike apo të punësimit. Por kur viti 2020 sapo ka nisur, Parlamenti akoma nuk ka miratuar projektligjin “Për Censin e popullsisë dhe banesave”, i paraqitur që në vitin 2018. Shqetësimi për mosmiratimin e ligjit është ngritur në mbledhjen e konferencës së kryetarëve në Parlament, ku është paralajmëruar gjithashtu edhe mosrealizimi i Censit brenda afateve të parashikuara nga qeveria shqiptare sipas strategjisë së saj.

Deputetja socialiste, Milva Ekonomi ka paralajmëruar në mbledhjen e konferencës shtyrjen e procesit të Censusit, duke shtuar edhe arsyet se pse nuk mund të realizohet në këtë vit. “Dua të ngre një shqetësim, se në kalendar kemi pasur projektligjin “Për censusin e popullsisë”. Unë dhe teknikët e tjerë mendojmë se nuk është viti për të bërë censusin, është pak e vështirë pasi është direkt pas tërmetit. Është më mirë që ta shtyjmë”, ka deklaruar Ekonomi në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura. Tërmeti i 26 nëntorit ka shkaktuar jo pak pasoja ekonomike dhe dëmtime të dhjetëra e qindrave banesave në të paktën katër qarqe të vendit Durrës, Tiranë, Lezhë dhe Elbasan.

Faskimile e procesverbalit të mbledhjes


Në procesverbalin e siguruar nga Gazeta “Si” deputetja socialiste ka ngritur shqetësimin gjithashtu se me shtyrjen e këtij procesi të ri të regjistrimit mund të ketë edhe pasoja financiare, pasi mund të digjen fondet e akorduara nga Bashkimi Europian që janë parashikuar në buxhetin e shtetit për t’u përdorur për këtë vit. “Ndërkohë Bashkimi Europian thotë se "kemi angazhuar për ju para të cilat janë rreth 4 milionë e 800 mijë euro dhe janë të angazhuar në buxhet". Nëse nuk ka qoftë dhe një akt ku qeveria tregon se është e gatshme për të bërë regjistrimin qoftë dhe në një datë tjetër, këto para do të tërhiqen nga buxheti. Në këto kushte unë mendoj se është më mirë që ne të kalojmë ligjin dhe të themi që do të merret vendimi për datën me vendim të Këshillit të Ministrave, por të mos i japim mundësi që të tërheqin paratë, pasi ikin nga buxheti. Mbase duhet ta risjellim në kalendar!”, ka theksuar Ekonomi.
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka kërkuar që për këtë çështje të diskutohet paraprakisht me qeverinë, e më pas të vendoset për ta votuar ose jo projektligjin që prej dy vitesh ndodhet në sirtarët e Kuvendit.

KLIKO per Projektligjin

Mbledhja e konferencës së kryetarëve. Gazeta Si,shkurt 2020


Kostoja e Censusit sipas INSTAT

Censusi i fundit në Shqipëri është realizuar në vitin 2011 dhe ky për vitin aktual është i treti që realizohet ndër vite. Sipas strategjisë së INSTAT, bazuar në objektivat e Censit të vitit 2020, fushat e punës dhe afatet kohore të përmendura në kapitujt e mësipërm, u krijua një listë e detajuar e aktiviteteve për Censin 2020 me një kalendar të përkohshëm prej muajsh dhe vitesh, duke filluar nga prilli 2018 dhe duke përfunduar në dhjetor 2022. Buxheti i përgjithshëm për Censin 2020 është vlerësuar në 16.4 milion Euro. Kjo përfaqëson afërsisht 5.7 euro per capita të popullsisë shqiptare dhe është shumë afër kostos mesatare prej 5.8 USD e përllogaritur për censet tradicionale të popullsisë dhe banesave në të gjithë rajonin evropian gjatë raundit të Censit të vitit 2010. . Mbi 50% janë shpenzime të stafit, por shumë komponentë të buxhetit janë investime afatgjata në një sistem statistikor më të qëndrueshëm të Shqipërisë
Procesi i censusit kërkon një periudhë shtatëmujore dhe se zakonisht ai nis në stinën e verës. Shqipëria e ka të detyrueshme realizimin e Censusit, pasi ai fundit është realizuar në vitin 2011, e tashmë ajo ka avancuar në proceset integruese dhe se pas marrjes së statusit të vendit kandidat është në pritje të çeljes së negociatave me BE-në.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë