Futboll

Çelsi zyrtarizon trajnerin e ri, Poçetino firmos për dy vjet me ekipin e Brojës

Gazeta Si – Në stolin e londinezëve ulet trajneri argjentinas, që ka detyrën e vështirë ta rikthejë skuadrën në majat e futbollit anglez, pas një viti shumë problematik. Akord 2-vjeçar mes palëve, me opsionin edhe për një të tretë.

E dinin të gjithë dhe tashmë është zyrtare. Mauricio Poçetino është trajneri i ri i Çelsit të Armando Brojës. Trajneri 51-vjeçar do ta marrë detyrën më 1 korrik. Ai duhet të udhëheqë Çelsin pas sezonit më të keq në Premier Ligë, të mbyllur për herë të parë me 50 pikë dhe jashtë Europës.

Poçetino ishte kandidat për stolin e ‘Blues’ shtatorin e kaluar, pas shkarkimit të Tomas Tuhel, por pronarët preferuan Graham Poter, një nga zgjedhjet e gabuara në katrahurën 2022-23 të Çelsit. Kur diskutohej për planin e ringritjes, askush nuk kishte dyshime se argjentinasi është njeriu më adapt.

“Jemi të lumtur që Mauricio është trajneri ynë, - ka thënë Tod Boehli. – Është një trajner me famë botërore, me rekorde suksesesh”.

Trajneri i ri do të sbarkojë në Londër me një staf të konsoliduar, që përfshin djalin e tij Sebastiano, numrin 2 Jesus Perez, Miguel D’Agostinon dhe Toni Jimenez. Hapi i parë do të jetë ndërtimi i grupit, që këtë sezon nuk ekzistoi kurrë, si për faj të trajnerëve, ështu edhe për blerjet e gabuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë