Futboll

Çelsi i blerjeve të mëdha, sot në testin Champions ndaj Borusia Dortmund

Gazeta Si – Liga e Kampionëve vazhdon sot në mbrëmje me dy ndeshje të tjera të fazës së 1/8-ve. Çelsi shkon në Gjermani për t’u ndeshur me Borusia Dortmund, kurse Benfika do të luajë në Belgjikë me Bryzhin.

Pritet me interes të shihet si Çelsi i blerjeve të mëdha do të paraqitet në Champions, pasi në kampionat nuk ëstë se ka bërë ndonjë gjë të veçantë pas merkatos faraonike të dimrit.

Nuk do të jetë aspak e lehtë përballë ‘murit të verdhë’, siç quhet tifozëria e ekipit gjerman që mbush gjithmonë stadiumin. Ndryshe nga Çelsi, Borusia bazohet te talentet e rinj, ku ai që po shkëlqen aktualisht është një anglez, Belingam.

Do të mungojë për shkak dëmtimi sulmuesi i Kombëtares, Armando Broja, por jo vetëm. Trajneri Poter nuk ka as Kante, Pulisiç, Mendi, Badiashile dhe ndonjë tjetër. Megjithatë, londinezët kanë një ‘artileri të rëndë’ dhe nuk duhet të zhgënjejnë.

Në ndeshjen tjetër mes Bryzhit dhe Benfikës, portugezët nisen favoritë, edhe pse luajnë në transfertë. Benfika ka një eksperiencë shumë më të madhe në këtë kompeticion, ndaj dhe ka më shumë shanse të kualifikohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë