Muzike

Céline Dion u thotë lamtumirë koncerteve: Sëmundja është përkeqësuar, nuk do të këndoj më kurrë në publik

Burime pranë yllit kanadez: ‘Ka vështirësi në ecje, shpina i është lakuar. Ka dhimbje kudo, nuk del dot as nga shtëpia’

Gjendja shëndetësore e Céline Dion është gjithnjë e më e rëndë. Deri në atë pikë sa artistja kanadeze “do të tërhiqet dhe nuk do të këndojë më në publik”.

Kjo u zbulua për ‘Radaronline’ nga burime pranë artistes, e cila prej kohësh vuan nga një sëmundje e rrallë neurologjike e quajtur sindroma e personit të ngurtë, simptomat e së cilës janë dhimbje muskulore dhe ngërçe që shkaktojnë ngurtësi dhe dobësim të kockave.

“Ajo është aq e dobësuar saqë urren të largohet nga shtëpia qoftë edhe për një kohë të shkurtër”, shpjeguan burimet për “Radaronline”. Ndërkohë, burime të tjera të pyetura nga National Enquirer thonë: “Ajo ka vështirësi në ecje, shpina i është përkulur dhe spazmat e muskujve ndonjëherë janë të padurueshme”.

Të dy mediat kanë kërkuar konfirmim nga përfaqësuesja e Céline Dion, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Siç shpjegon Vanity Fair, majin e kaluar këngëtarja pesëdhjetë e pesë vjeçare duhej të anulonte të gjitha koncertet deri në prill 2024.

“Më vjen shumë keq që ju zhgënjej edhe një herë. Unë jam duke punuar shumë për të rikthyer forcën time, por turneu mund të jetë shumë i vështirë edhe kur je 100%. Edhe pse më thyhet zemra, më mirë të anulojmë gjithçka tani derisa të jem vërtet gati të rikthehem sërish në skenë”, shkruante në rrjetet sociale interpretuesja e “My heart Will Go On”.

Duke shtuar: “Dua që të gjithë ta dini se nuk po dorëzohem… dhe mezi pres t’ju shoh përsëri!”.

Por më pas, në gusht, motra e Céline, Claudette, në një intervistë me gazetën kanadeze Le Journal de Montreal kishte dhënë pak informacione që jepnin shpresë dhe ngushëllonin: “Ne nuk mund të gjejmë asnjë ilaç që funksionon, por të kesh shpresë është e rëndësishme”.

Claudette kishte thënë se Céline-n ajo që e ndihmonte nga afër ishte një motër tjetër, Linda, e cila ishte zhvendosur për të jetuar me të dhe me tre fëmijët. Bashkëshorti i saj René Angélil, vdiq në 2016.

“Motra ime Linda më thotë se po punon shumë, duke dëgjuar studiuesit më të mirë në fushën e kësaj sëmundjeje të rrallë”.

Sindroma, e cila prek një në një milion njerëz, nuk ka një protokoll të vetëm trajtimi. Por Claudette ishte e sigurt se Céline do të shërohej.

Por tani, për fat të keq, vjen një lajm që askush nuk do të donte ta dëgjonte: ylli kanadez është aq e sëmurë sa nuk mund të largohet më nga shtëpia. Dhe ajo nuk do të kthehet kurrë në skenë. /La Stampa/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë