Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi deklaroi se deri tani janë raportuar më pak se 100 problematika lidhur me procesin zgjedhor të diasporës.
Lidhur me fotografimin e fletës së votimit nga diaspora, Celibashi theksoi se partitë politike duhet të angazhohen më shumë të bëjnë thirrje dhe tha se nuk ja vlen të shkohet drejt procedimeve penale për çështje të vogla.
“Mendoj se partitë politike duhet të angazhohen në thirrje të tillë politike. Disa mund ta kenë të thjeshtë të kenë një procedim penal, por nuk ja vlen. Dua të them diçka, nuk mund të mos shpreh kënaqësinë time për masën e madhe të votuesit nga jashtë, që edhe kur kanë patur problematikë e kanë adresuar hapur këtë proces. Nëse ke një problem kontakto KQZ, median. Jemi duke paguar tonelata parash, dhe duhet ta respektojmë këtë proces.”
Ai shprehu kënaqësinë për angazhimin e votuesve nga jashtë, të cilët edhe kur kanë hasur probleme, i kanë adresuar në mënyrë transparente.
“Janë 62% që e kanë marrë, 9% e kanë kthyer mbrapsht. Ka mundësi që shumica dërrmuese ta kthejë, 90% e votuesve nga jashtë ta kthejnë fletën e votimit nga jashtë. Nuk do kishin harxhuar kohë për të marrë fletën e votimit nëse nuk do kishin interes për të votuar. Po ndodh për herë të parë. E kemi bërë në një kohë shumë të shkurtër”, përfundoi kreu i KQZ.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.