Lajme

Çelet gara për tunelin e Llogorasë, do të hapë mbi 11 mijë vende pune

Ndërtimi nis në pranverën e 2021

Ministrja e Infrastrukturës dhe Eenergjetikës Belinda Balluku ka shpallur sot (të premten) garën për projektin inxhinierik të ndërtimit të Tunelit të Llogorasë.

Më 29 dhjetor do të  çelet tenderi për ndërtimin, kurse në pranverën e 2021 do të nisë puna. Pjesa e kohës midis do të shërbejë për të bërë një studim të thelluar, sipas ministrës Balluku.

Tuneli i Llogorasë konsiderohet si një vepër e rëndësishme, pjesë e paketës së ndërlidhjes në të gjithë zonën e jugut sëbashku me aeroportin e Vlorës dhe korridorin Adriatiko – Jonian për të cilin ministrja tha se më 29 qershor do të çelet gara.

Ndërtimi i Tunelit të Llogorasë do të bëhet me paratë e buxhetit të shtetit dhe mirëmbajtja mandej do të kërkojë kontributin e vizitorëve përmes një tarife simbolike, sipas ministers, e cila theksoi se impakti ekonomik i veprës pritet të jetë më i madh se projekti TAP. Në shifra 550-650 mln euro ndikim direkt dhe indirekt. Në këtë projekt pritet të punësohen 11 mijë e 600 vetë.

Tuneli i Llogorasë do të jetë 6 km i gjatë i cili nis 500 m pas urës së Shën Elizës duke u lidhur me pjesën tjetër të rrugës sipas kontratës që e lidh me Portin i Jahteve, Ura e Shën Eliza dhe që përshkon malin e Llogorasë butë dhe pa pendenca të rrezikshme për të dalë në pikën e Urës së Palasës duke u lidhur me rrugën e Dhërmiut me gjatësi 1,4 km.

Ndërtimi i tunelit do të bëhet  me një tub me dy karexhata me dy sense dhe në rrugë do të kalohet me një shpejtësi prej 50-80 km/orare limit, me një tub emergjence, duke krijuar mundësinë e një tubi të dytë sipas fluksit edhe në 10 vitet e ardhshëm.

Tuneli i Llogorasë do të shkurtojë rrugën për në bregdet nga aeroporti i Vlorës, në 37 minuta nga 55 që është sot.

Rruga do të sjellë efiçencë për kohën dhe karburantin e mbi të gjitha për sigurinë rrugore.

“Negocimi me investitorët e huaj është kërkesa për impiant turistik që të jetë afër me aeroportin. Nuk do të ishte e denjë nëse do të ishte mbi 45 min nga aeroporti. Prandaj e quajmë të rëndësishme në paketën e konektivitetit sëbashku me aeroportin. Çdo visitor nga Aeroporti do ti duhen vetëm 37 min për në bregdet”- tha Minsitrja Balluku.

Nga llogaritja aktualisht në këtë rrugë për shkak të rrezikshmërisë kalojnë vetëm 3000 makina në vit. Me ndërtimin e Tunelit të Llogorasë në vitin e parë llogaritet dy-fishimi i qarkullimit të automjteve dhe në vitin e tretë 10 mijë automjete.

“Strategjia e turzimit nuk mund të funksionojë si individuale dhe e kufizuar, por ka nevojë për mbështetjen e infrastrukurës. Ta krijojmë infrastrukturën pranë pikave që janë në interes të turistëve, në det apo në mal. Tuneli i Llogorasë ka qenë një ëndërr jo vetëm e çdo qeverie, por e çdo qytetari që do të aksesojë perlën e rivierës së jugut shqiptar. Problematika që ka rruga e Llogorasë bazohet tek siguria rrugore. Prandaj projekti parashikon mbi të gjitha sigurinë. Është bërë një mirëmbajtje e thelle e rrugës për ti shërbyer turistëve këtë sezon. Duke u nisur nga gjithë projektet dhe dëshira për ta patur këtë projekt, në bashkëpunim edhe me ekspert të huaj, hapi më i madh dhe më i mirë është nisja e procesit për garën ndërkombëtare për projektin inxhinierik.”- u shpreh Balluku.

Kreyeministri Edi Rama prezent në hapjen e garës për projektin inxhinierik të tunelit të Llogorasë e cilësoi veprën strategjike, jo vetëm për zonën, por për të gjithë vendin.

Kryeministri Edi Rama

“Kjo zonë është me interes të gjithanshëm, nuk bëhet fjalë për një zonë që frekuentohet në sezon të verës, por për një thesar historik të pazbuluar. Bëhet fjalë për një zonë që gjendet në librin e Jul Cezarit ku ai shkruan se në mesditën e 5 janarit kishte zbarkuar mes shkëmbinjëve të thepisur e të rrezikshëm në vendin që quhet Paleste, Palas. Me shumë krenari e them jemi gati të materializojmë këtë projekt që do të krijojë një akses krejt tjetër drejt zonës e do të shërbejë si katalizator shumë i fuqishëm i zhvillimit të turizmit në gjithë rivierën joniane” – shpreh kryeministri Rama duke folur për projektin që do të jetë me “standarte siç dimë ti bëjmë ne”. Ai akuzoi edhe në këtë rast opozitën, maxhorancën e dikurshme për projketet sipas tij ibret që në mënyrë metaforike tha se i kishte gati në një album për të kujtuar se si projektet nuk duhen bërë.

Ai mori shembull rrugën Qukëz -Qafë-Ploc ku sipas tij, diferenca nga njëra anë me tjetrën që duhet të lidhë dy rrëpira ishte 17 metra. “Nëse do të realizohej sipas projektit, do të ishte e para në historinë e planetit që do ti ngjante një strukture të acqua parqeve. Sprova më e madhe për të vënë në dyshim reklamat e gjithë kompanive të mëdha të automjeteve. Tuneli është pjesë e një mozaiku, me vizion strategjik dhe një sërë projektesh që janë ndërtuar në bazë të një vizioni. Për të sjellë sens në investimet në atë zonë ku është ndërtuar keq dhe pa vizion”- tha Rama.

Copyright © Gazeta “Si”


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë