Drejtësia

Çela para KLP: Na mungojnë 123 prokurorë. Trajtuam 9.4% kallëzime më pak se në 2022

Gazeta Si - Gjatë raportit vjetor para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, kreu i Prokurorisë së Përgjithshme Olsian Çela ka renditur një sërë problematikash që përfshijnë institucionin që drejton.

Çela ka thënë se përveç mungesës së prokurorëve, viti 2023 ka qenë sfidues për shkak të hartës së re gjyqësore. Ai vuri në dukje se ka një numër më të ulët të kallëzimeve në prokurori krahasuar me vitin 2022.

“Viti 2023 ishte një vit sfidues për prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për shkak të çështjeve administrative dhe procedurale që lidheshin me zbatimin e hartës së re gjyqësore dhe vijimit të uljes së numrit të prokurorëve si pasojë e pezullimit apo shkarkimit gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar”.

Ai vuri theksin edhe tek mungesa e prokurorëve. “Në vitin 2023, numri faktik i prokurorëve në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm ka qenë 198 (përfshirë dhe emërimet në korrik të 26 magjistratëve të rinj). Ky tregues evidenton strukturën faktike me 62 % të prokurorëve kundrejt numrit organik prej 321 prokurorësh dhe mungesën e 38 % të numrit të prokurorëve”.

Në një bilanc për mungesën e prokurorëve, Olsian Çela theksoi se “gjendja e numrit faktik të prokurorëve sipas niveleve të prokurorive ka qenë: - 177  prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, ose 101 prokurorë më pak krahasuar me numrin organik (64 % e strukturës organike); 10 prokurorë në prokurorinë pranë Gjykatës të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ose 16 prokuror më pak krahasuar me numrin organik (38 % e strukturës organike) dhe 11 prokurorë në Prokurorinë e Përgjithshme ose 6 prokurorë më pak se numri organik (65 % e strukturës organike)”.

Një problematikë tjetër sipas kryeprokurorit Çela, është se në vitin 2023 janë trajtuar 55 mijë e 253 kallëzime, 9.4% më pak se në vitin 2022.

"Gjatë vitit 2023, në organin e prokurorisë janë trajtuar 55253 materiale kallëzuese që përbën një ulje prej 9,4 % në krahasim me vitin 2022. Janë ndjekur gjithsej 45.715 procedime penale, që përbëjnë një ulje prej 5,2 % në krahasim me vitin 2022, nga të cilat 24095 janë procedime penale të regjistruara, me një ulje prej 6,2 % në krahasim me vitin 2022 dhe 201 procedime penale të rifilluara, që tregon ulje prej 70 % në krahasim me vitin 2022".

Çela shtoi se "janë mbartur 21011 procedime penale me një ulje prej 3,9 % krahasuar me procedimet e mbartura në vitin 2022. Është vendosur mosfillimi për 9946 referime dhe kallëzime penale, që do të thotë një ulje prej 22,2 % në krahasim me vitin 2022".

Po ashtu, kryeprokurori ka bërë me dije se janë përgjuar nga prokuroria 2.492 persona, në kuadër të hetimeve paraprake.

“Gjatë vitit 2023 është përdorur përgjimi i komunikimeve elektronike nga prokurorët në fazën e hetimeve paraprake si mjet për sigurimin e provës në 514 procedime penale. Është realizuar përgjimi për 2675 pajisje fundore në përdorim të 2492 subjekteve ndaj të cilëve ishte lejuar përgjimi. Në total janë ekzekutuar 1121 vendime për përgjim të autorizuara nga gjykata dhe 456 urdhra/autorizime të prokurorit”, tha Çela.

Edhe sa i takon dhënies së dënimeve, sipas Prokurorit të Përgjithshëm vihet re një ulje e tyre. “Krahasimisht me vitin 2022 rezulton një ulje prej 12,13 % e numrit të çështjeve të dërguara në gjykatë dhe 11,87 % e numrit të të pandehurve dërguar në gjykatë. Raporti ndërmjet çështjeve dërguar në gjykatë dhe çështjeve të pushuara është 61,54 % me 38,46 %. Në lidhje me vendimet e gjykatës, nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2023 janë dënuar 7254 të pandehur që krahasuar me vitin 2022 përbën ulje 31,22 % të numrit të pandehurve të dënuar, dhe për 199 të pandehur është dhënë vendim për deklarimin të pafajshëm ose për 2,67 %".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë