Do flas dhe unë

Çela: Jemi të ashpër me të dobëtit, po përgatisim fidanishte të krimit

Olsjan Çela ishte kandidati i tretë për postin e kryeprokurorit që doli përpara Këshillit të Lartë Prokurorisë dhe ndërkombëtarëve
Çela pranoi se prokuroria ka qenë e ashpër me shtresat e dobëta. Sipas tij, kjo nuk duhet të ndodhë, pasi krijon probleme të rënda sociale. “A ka qenë e domosdoshme vërtet që prokurori të shkojë të kërkojë masa ekstreme në çdo rast? A mendojmë ne që ai njeriu që ka bërë një vepër penale me të cilën mund të hetohet dhe pa shkuar në burg, ka një punë ka një familje, ka fëmijë që ngelen pa mbështetje?! Ata fëmijë të cilët e atij njeriu që dënohet me burg kur ndoshta mund të aplikoheshin metoda alternativa të dënimit, si do jetojnë? Do jenë në rrugë! Çfarë do bëjnë për të jetuar? Ne nuk jemi një shoqëri e pasur. Duke thelluar problemet sociale ne përgatisim breza të rinj që janë në rrugë sot dhe nuk kanë të ardhme dhe që nesër janë fidanishte të krimit", ka thënë prokurori Çela.

Kandidati për postin e kryeprokurorit Olsjan Çela, Gazeta Si 13 nëntor 2019


Më tej ai u shpreh se edhe vetë kodi i procedurës penale të lejon të zbatosh si duhet, të mos jesh ekstrem. Ne përgjithësisht jemi ekstrem, nuk i di arsyet. “Ajo që unë kam propozuar në platformë është kryerja e një studimi mbi efektet që ka hetimi penal, sanksionet e zbatuara, efektet që kanë këto sociale mbi qytetarët, efektet parandaluese pra sa na kanë ndihmuar ne për të ulur kriminalitetin”, theksoi Çela. Pyetjes së anëtarëve të KLP-së se si do e përballonit presionin e politikës nëse zgjidheni, Çela iu përgjigj: “Të jesh prokuror i përgjithshëm është fytyra e organit. Tek prokurori i përgjithshëm qytetarët shohin garantin e sigurisë së tyre. Media kërkon të jetë model për interesin publik. Nuk ka nevojë prokurori i përgjithshëm t'i nënshtrohet presionit politik. Ne po fitojmë pavarësinë me te vettingun. Në qoftë se nuk është i përgjegjshëm nuk do të ishte një funksionar i mirë por thjesht një zbatues mekanik! Demokracia mbrohet duke vënë para përgjegjësisë penale ata që shkelin ligjin! Duke qenë vigjilent ndaj respektimit prokurori të jetë edhe në hallkën e pare garantuese edhe të ligjit edhe që shoqëria s’do t’i nënshtrohet dhunës së arbitraritetit”, tha Çelaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë