Futboll

Ceferin: Juventusi ka gabuar gjithçka, rasti i Barcelonës është mjaft i rëndë

Gazeta Si – Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka folur së fundi për situatat që po kalojnë Juventusi dhe Barcelona, dy nga klubet më të mëdha të futbollit europian. Italianët kanë manipuluar bilancet dhe u janë hequr pikë, kurse spanjollët janë në qendër të një skandali për arbitrat.

"Duhej të përfundonte siç përfundoi", - ka thënë Ceferin sa i takon marrëdhënies me Andrea Anjelin, ish-presidentin e Juventusit. “Historia e Juventusit do të përfundonte kështu, sepse ishte çdo gjë gabim. Nuk kam raport me Anjelin, por dua të them se e respektoj Juventusin si klub.

Ceferin dhe Anjeli. Gazeta Si, 3 prill 2023

Nëse një klub ka një këshill që merr vendime të gabuara, nuk do të thotë se unë jam kundër atij klubi dhe aq më shumë ndaj tifozëve apo lojtarëve të tij”, - ka shtuar Ceferin.

"Është interesante të shohësh që nga tre klube që deklarohen si shpëtimtarë të futbollit, njëri ka një proces të hapur për çështje bilanci, një tjetër ka dhënë para për një drejtues të një organizate arbitrash. Të shohim, nëse edhe i treti ka diçka. Interesante si mund ta shpëtonin futbollin”, - ka thënë më tej slloveni.

Pastaj, duke u fokusuar te çështja e Barcelonës, kreu i UEFA-s ka theksuar: "Është një rast i rëndë, por sa i takon UEFA-s nuk ka asgjë të parashikuar”. UEFA ka hapur një hetim, që mund të ketë sanksione të rënda, një nga të cilat mund të jetë përjashtimi nga Championsi i ardhshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë