Politike

Ç’ndodh në shtator? Basha-Kryemadhi koordinojnë aksionin opozitar

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, e kthyer pas pushimeve, ka zhvilluar një takim në selinë e PD-së, me Lulzim Bashën. Për 30 minuta, Basha dhe Kryemadhi kanë biseduar në zyrën e kryedemokratit mbi aksionin politik që opozita pritet të ndërmarrë, në muajin shtator.
Situata aktuale politike, pas çështjes së ndodhur me rastin e kryebashkiakut të Shkodrës, Valdrin Pjetri, duket se po favorizon opozitën, e cila kartën e “Dekriminalizimit” do ta përdorë sërish edhe për protestat e ardhshme.
Nisja e stinës së protestave është paralajmëruar edhe nga vetë kryedemokrati gjatë një konference për shtyp të dhënë disa ditë më parë. Në kuadër të këtij aksioni politik ishte edhe ky takim i sotëm mes Bashës dhe Kryemadhit, i pari për këtë muaj.
Pas daljes nga selia blu, si Basha, ashtu edhe Kryemadhi, nuk dhanë ndonjë prononcim për median. Kryedemokrati Basha ndërkohë pritet të takohet me drejtuesit e tjerë të partive aleate.
Pas largimit të Pjetrit, opozita nuk ka vendosur nëse do të hyjë në zgjedhje për kreun e Bashkisë së Shkodrës. Partitë aleate të PD-së, si LSI, PAA kanë shprehur se janë kundër pjesëmarrjes në zgjedhjet për kreun e Bashkisë së Shkodrës, ndërsa për një fakt të tillë nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar të PD-së.
Sakaq, një përplasje jo e vogël brenda kampit opozitar është për datën 13 tetor. Partitë aleate, LSI, PR dhe PAA kanë paraqitur kërkesë zyrtare në KQZ për t’u regjistruar në zgjedhjet lokale të 13 tetorit, por një hap të tillë nuk e ka ndërmarrë PD-ja.
Edhe pse nuk është regjistruar zyrtarisht, duke dalë kundër qëndrimeve të Metës, PD-ja ka preferuar të mbajë një deklaratë zyrtare ku dënon moszbatimin e dekretit të Presidentit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë