Njerez

Çdo përdorues i You Tube do të donte të ishte Elle Mills, por ka një çmim…

Abby Ohlheiser/ The Washington Post – Kamera e Elle Mills-it ishte e fiksuar në këmbët e përkulshme të tripodit duke filmuar çdo lëvizje në tryezën aty pranë. Duarmprehtë, ajo vizatoi një kopje të tatuazhit të saj, të shkruar qëllimshëm gabim, në krahun e fansit të ri “no ragrets.” (jo pednesë). Mills është e famshme në YouTube. Por për fansin që merr një tatuazh të rremë dhe dhjetëra të tjerë aty që presin ta takojnë në Playlist Live, një mbledhje fansash në Nju Xhersi, ajo është thjesht e famshme. Pesë vjet të shkuar Mills mund të ishte duke pritur në një radhë të ngjashme. Por tani, kur sapo i ka mbushur të njëzetat, ajo kryeson ngjarje si kjo me ish-idhujt e saj. “Kam qenë edhe nga ana tjetër”, thotë Mills. “Kam qenë një fanse. Por tani jam personazhi.”

Elle Mills është si John Hughes për brezin e YouTube-it dhe kjo është rraskapitëse. Fshehur pas një mbulese buke, është dreka gjysmë e ngrënë e saj. Do ta përfundojë vaktin më vonë, e rraskapitur në dhomën e hotelit. Disa orë më herët ishte ulur në të njëjtën dhomë me sytë e ngulur nga ekrani i kompjuterit, duke bërë editimet e fundit në një video.Në event, Mills mori kamerën për të treguar punën e saj të dorës. Vështronte ngultas në lente. “Fëmijë” tha ajo. “Mos bëni tatuazhe budallaqe!”

https://www.youtube.com/watch?v=LbrDiP4hhl0

Mills, në fakt, ka katër të tillë. Historitë e fillesës së dy prej tyre u dokumentuan në YouTube. Në një prej tyre, ajo dhe i vëllai morën nga një koment Instagrami të nënës së tyre dhe e vulosën me bojë në kofshë. “Befasojmë mamin me tatuazhet e kombinuara budallaqe” ka 1.8 milionë shikime. Titujt në kanalin e Mills-it janë reminishente të rrengjeve të tyre të mëparshme në YouTube: “Jam martuar ligjërisht me motrën e të dashurit tim. “I hodha vetes një ceremoni diplomimi”. Dhe në shumë të tjera në platformë, ajo ka një introduktë familjare për secilën nga videot e saj. “Çkemi! Jam Elle Mills”.

 [ Çfarë vjen më pas? Një seri që portretizon njerëzit vendet dhe përvojat që do t’i japin formë kulturës në vitet e ardhshëm.]

Por përmbajtja e saj nuk ngjan me ato që bëjnë përdoruesit e tjerë të YouTube-it. Ajo është versioni i YouTube-it të kineasti – një që ka mësuar nga të shikuarit e brezave të mëparshëm të yjeve online. Ajo është njëherazi Ferris Bueller dhe John Hughes(kineastë) i botës së saj. Secila video duket si një film i tërë, me skenar, regji, editim, marketing dhe interpretim nga Mills. Të marra së bashku, videot gjithashtu tregojnë historinë e rritjes, që paralelizon jetën e saj. Versioni i YouTube-it të Mills-it ngjan shumë si versioni i saj i vërtetë, sipas miqve. Të dyja janë spontane, argëtuese dhe pak të çuditshme. Por Mills është e vetëdijshme se duhet të jetë “on” kur takon fansat – një version origjinal dhe njëherazi i lartësuar i personazhit të saj.

Për të,  takimet dhe përshëndetjet janë një formë ruleti. Disa qasje me një buzëqeshje dhe kërkesa të lehta. Të tjerë hezitojnë në lot dhe me shtrëngime të dukshme duarsh. Një vajzë, e cila e nisi takimin e saj me një barsoletë, befas nxori një histori sesi akoma nuk ka dalë hapur si gay në familjen e saj. “Jo, jo, po ia del më së miri”, i siguron Mills ata që qajnë. Një ndjekës i rregullt i takimeve dhe përshëndetjeve e kritikoi se shpërfillte mesazhet e drejtpërdrejta në mediat sociale.

Mills dyshonte se një tjetër fans po përpiqej ta mashtronte me një rrëfenjë tragjike. Mes takimeve të vështirë apo emocionalë, Mills vërvitet në një rreth, si për të bërë gati veten për personin tjetër. Mills e pëlqen takimin me ndjekësit e saj. Me shumicën prej tyre. Por disa duan më shumë, sesa është në gjendje t’u japë. Më në fund, pas dy orësh e gjysmë në këmbë, e kyçur në një bashkëbisedim të vazhdueshëm, PlayList Live përfundon. “Shkojmë”, thotë Mills, me fytyrën e lodhur dhe të zbehtë. E pyeta sesi ndihej, por përgjigja e saj ishte një fjali e papërfunduar. Megjithëse po ecnin pranë njëra-tjetrës, mendja e saj ishte gjetiu.

Mills e bleu kamerën e parë, të vogël dhe bojë rozë, në moshën 8 –vjeçare. “Dua të bëhem e famshme”. E thoshte gjithmonë këtë”, thotë e ëma, Janette Prejola. “Dëshironte të performonte në sy të të gjithëve”. Ëndrra iu bë realitet, por me një çmim. Sekreti i errët i famës online është se të bren dhe të rraskapit. Ndërsa largohet nga eventi në Nju Xhersi, e ndien se po i ndodh sërish. “Nuk ishte një seancë e mirë takim-dhe-përshëndetje”, rrëfen. “Ndjeva sikur isha me pilotin automatik.” Mills dhe unë ishim ulur në dhomën e saj të hotelit, ndërsa miqtë i dërgonin mesazhe për të parë nëse gjithçka ishte në rregull. Disa prej tyre, pranon ajo, e këshilluan të mos shkonte në atë konventë. “Thashë po,  sepse e harroj këtë ndjesi”, thotë Mills.

Pasi mbaroi shkollën  e  mesme, Mills i mblodhi forcat e saj në përpjekjen  për t’u bërë një përdoruese e famshme e YouTube-it. Vitin e kaluar, në këtë kohë , ajo kishte rreth 500 mijë ndjekës. Ajo e kremtoi këtë arritje relativisht modeste,  duke ndërtuar një platformë parade për veten. Por gjithçka ndryshoi në nëntor të 2017-ës, kur vendosi të dalë hapur si biseksuale. Videot e deklarimit janë pjesë e një zhanri të caktuar të YouTube-it, në të cilin krijuesit shpesh shënjojnë arritje madhore të jetës – martesa, divorci, shtatzënia ,vdekjet – duke përdorur tituj rrëfyes. Videoja e Mills-it ishte e ndryshme “Coming out (Stili i Elle Mills-it)” nuk ishte “histori dashurie”, i tha ajo audiencës. Por e trajtoi zbulimin vetjak me një peshë emocionale me më të mirën e një komedie romantike.

https://www.youtube.com/watch?v=pDi7cezk9CA

Mills shfaqi përqafimet dhe gëzimin nga miqtë e saj,  pasi u zbuloi secilit nga një foto – dhe në këtë mënyrë, gjininë – e dashurisë së saj. Ajo e filmoi veten duke qarë, tri ditë përpara se t’i tregonte familjes, në ankth sesi do të reagonin ata. Mills e bëri të madh momentin: ajo dhe miqtë e mbuluan garazhin e shtëpisë, që e  ndan me të ëmën dhe të vëllain, me  letra në ngjyra ylberi. Mills qëndronte në fund të rrugës automobilistike në Otava, duke parë me ankth ndërsa e ëma ngriti qepenin. “Të pranoj për atë që je. Ti e di këtë apo jo? Të kam pyetur disa herë,” Prejola qau. Ato të dyja u përqafuan. Videoja u bë virale dhe jeta e Mills-it ndryshoi në një çast. Personazhi i famshëm i YouTube-it, Casey Neistat,  e cilësoi përmbajtjen e saj ‘brilante’. ( Në viset e YouTube-it është njësoj sikur Meryl Streep të përgëzojë aktrimin tënd.)

Hank Green, një nga personalitetet e brezit të parë të YouTube-it,  tha se, videoja ishte e para që ai kishte parë nga Mills dhe e kishte bërë të qante. “Mund ta dalloj kur dikush po bën diçka ndryshe,  por edhe shumë të mirë”, thotë ai. Befas, fansat që dikur thoshin se përmbajtjet e videove të saj ishte argëtuese,  ishin duke diskutuar sesi videoja i emocionoi apo i ndihmoi të dilnin hapur. Dhe kështu u bënë më shumë admirues të punës së saj: në një vit, ajo fitoi edhe një milion ndjekës të tjerë, secili që pret të shohë ç’do të bëjë ajo më pas.

Kjo ishte çka Mills dëshironte. Ishte shumë e gëzuar. Por shpejt nisi të ndiejë diçka tjetër: presion të madh. Njëherë në javë kalonte përmes të gjithë procesit të video-bërjes, nga krijimi deri te postimi në platformë. Me ta mbaruar, cikli niste sërish. Në janar u shkëput për tri javë, duke dalë në fund të muajit me një video“I dashur shikues!”

“Mënyra më e mirë për ta përshkruar se ç’po kaloj në këtë moment është si të hidhesha nga kopshti në kolegj,  brenda një natë”, thotë Mills në një video, “por sërish pres të marr një notë 10 e të mos zhgënjej askënd.”Por mbaron me një shënim të lumtur: Mills u kthye, më e mirë dhe e gatshme për të vazhduar. “Kam një tufë me gjëra fansash të planifikuara për ne”, u tha shikuesve. “A jeni gati?”Mbyllja nuk ishte plotësisht e sinqertë. “Ta shpif për fundet e lumtura,” tha një muaj më pas.

“Nuk është normale për një njeri të ketë gjithë këtë pushtet dreqi, gjithë këtë presion dreqi”

Ajo çka Mills po kalon në jetën e saj private nuk mund të përmbahet në një mesazh katër minutash. Presioni vazhdonte të rritej, edhe pse jetonte publikisht si një YouTuber e suksesshme,  që dominonte valën e famës. Ajo lajmëroi turneun e saj të parë; u bë fikse në konventat e fansave. Më pas, në maj, postoi “E rraskapitur në moshën 19-vjeçare”. Mills pësoi të parin sulm paniku në pranverë, në ndalesën e dytë të turit të saj. Ajo ishte në Shorty Awards, që nderon më të mirën e mediave sociale, por qau në banjën e hotelit.

Gjithçka që ndodh në bërjen e videove të Mills-it, nga lista e psonisjes dhe idetë e skenave,  tek skenari dhe narracioni, planifikohet dhe shkruhet me dorë, në një bllok të kuq shënimesh.


Presioni – udhëtimet e pandalshme, nevoja për ta zhbërë veten, rrjedha e vazhdueshme e përmbajtjeve – ishin të tepërta. “Nuk mund ta bëja më”, thotë Mills. Ajo u kthye nga çmimet Shortys dhe u largua ditë më vonë për PlayList Live në Orlando. PlayList ishte pika e thyerjes. Takimi e shteri. U ndje si pas Nju Xhersit. Që ta përballoja këtë, thotë Mills “m’u desh të pija, shumë.” Donte të ndiente diçka ndryshe. “Gjatë muajit,” thotë Mills, “Kisha mendime vetëvrasëse.” Nuk i tha askujt. Ende nuk u ka treguar të gjithëve.

Pasi mbaroi shkollën  e  mesme, Mills i mblodhi forcat e saj në përpjekjen  për t’u bërë një përdoruese e famshme e YouTube-it.

Kur u kthye nga Orlandoja, nuk u ndje më mirë. Postoi një video të papërpunuar të vetes në llogarinë e Twitter-it. “Nuk është normale për një njeri të ketë gjithë këtë pushtet dreqi, gjithë këtë presion dreqi”, thoshte ajo duke parë kamerën, në një video. “Kjo është gjithçka kam dashur”, thotë ajo. Por përse ishte aq e palumtur? Atë natë, e kyçi veten në dhomën e saj, me mendimet më të errëta. “E pashë statusin në Tweeter” , thotë e ëma. “Më theu zemrën. Thoshte gjithmonë se thjesht ishte e ngarkuar me punë”. Të gjithë e telefonuan. “Miqtë më dërgonin mesazhe. “Nëse nuk më përgjigjesh do të vij poshtë shtëpisë tani””, thotë ajo.

Mills e përfundoi “E rraskapitur në moshën 19-vjeçare” disa javë përpara asaj nate. Hera e parë që pa versionin përfundimtar të videos, thellësisht personale,  ishte në një festival për krijuesit online, shfaqur në një ekran me një audiencë prej qindra njerëzish. Ndërsa rrinim ulur  në dhomën e saj në Otava, ajo bënte editimet e fundit në vlog,  një javë përpara konventës së fansave. Ishte ende me të njëjtën veshje të një dite më parë; e kishte gdhirë duke edituar. Vlogu i çoi fansat përmes përvojës së një krijuesi në një event të tillë – diçka që nuk ua kishte treguar. “Pastaj e mbështolla veten me një takim-përshëndetje”, rrëfente në ekran. “Dhe ç’mënyrë e përsosur për të mbyllur ditën”.

“Mënyra më e mirë për ta përshkruar se ç’po kaloj në këtë moment është si të hidhesha nga kopshti në kolegj,  brenda një natë”,

Shoh Mills-in. “Kjo është një video e lumtur”, më thotë. “Njerëzit duhet të dinë se çfarë ka ndodhur, jo sesi jam ndier unë.” Ndihet më mirë sesa në muajin prill, por jo e shëruar. Në javët pas krizës kërkoi këshillim, nisi të stërvitet dhe të kujdeset më shumë për veten. Përditësoi fansat me gjendjen e shëndetit mendor, muajin e shkuar. Me ndihmën e menaxherit të saj, axhenda u bë më e arsyeshme. Turnetë janë jashtë opsionit. Është më përzgjedhëse për takime-dhe-përshëndetje. E braktisi axhendën e saj të postimeve javore, të videove. Dhe ka nisur të mendojë rreth së ardhmes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë