Futboll

Cana: E ardhmja ime do të jetë në futboll, dua një Kombëtare

Ish-kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana në një lidhje me “Fan Zone”, ka folur për disa çështje aktuale. Nga Roma aty ku qëndron me familjen e tij, Cana ka folur për gjendjen e pandemisë së Covid-19 si dhe planet për të ardhmen, ku ka zbuluar ndeshjen më emocionuese të karrierës së tij me Shqipërinë.

Situata- Natyrisht që po rrimë brenda dhe kemi minimizuar lëvizjet. Këto ditë po i shfrytëzoj për të ndenjur më shumë me familjen dhe për t’u marrë më shumë edhe me djalin tim. Gjithashtu kam pasur kohë të mjaftueshme për të ndenjur në kontakt me familjarët, farefisin dhe rrethin miqësor. Kam ndihmuar shumë edhe djalin, për të bërë sa më shumë ushtrime, pasi ai ka një moshë, ku harxhimi i energjive është domosdoshmëri.

Europiani- Më vjen keq, sepse bëmë paraqitje mjaft të mira, me përjashtim të 15 minutave të para kundër Zvicrës, ku patëm një emocion të tepruar, që nuk e menaxhuam dot. Do të doja shumë të luaja edhe kundër Francës, pasi ndeshja ishte programuar për në Marseille, një qytet special për mua. Para ndeshjes me Rumaninë, fola me lojtarët dhe u thashë që ajo mund të ishte ndeshja ime e fundit me Kombëtare, por edhe e fundit në karrierë, ndaj të gjithë dhanë maksimumin në fushë dhe për fat ia dolëm të marrim një fitore.

Kombëtarja- Unë mendoj gjatë dhe shoh larg, ndaj them me bindje që nuk ka pse të kemi dy Kombëtare, kur jemi një komb. Jo vetëm unë, por shumica e shqiptarëve mendojnë se duhet vetëm një kombëtare dhe ajo kuqezi e ka bërë më së miri detyrën për të përfaqësuar kombin shqiptar. Kam fiksuar vitin 2002, kur zhvillua një vëllazërore me Kosovën, ndeshjen në Zvicër ku edhe debutova në pjesën e dytë me fanellën kuqezi, si dhe ndeshjen me Armeninë, ku siguruam kualifikimin për në Kampionatin Evropian.

Karriera- Unë mbetem i angazhuar në futboll dhe e ardhmja ime do të jetë aty, ndaj për momentin nuk dua të përjashtoj asgjë. Nuk e kam pasur kurrë në mendje të bëhem president i federatës. Gjithmonë jam përpjekur të jap maksimumin dhe të jap vetëm mesazhe pozitive. Por në të ardhmen nuk i dihet, ndoshta edhe mund të ndodhë. Nuk mendoj se jam i aftë për atë gjë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë