Politike

Cakaj nuk paraqitet në komision, Xhafaj shkon me vonesë. Opozita braktis mbledhjen

Ka nisur me tensione mbledhja e komisionit parlamentar të Integrimit, ku ishte parashikuar shqyrtimi nen për nen i buxhetit të shtetit për ministrinë e Jashtme.
Shkak i kësaj ka qenë vonesa e zv.ministrit të Jashtëm, Etien Xhafaj, i cili më pas i ka kërkuar ndjesë deputetëve dhe ka sqaruar se Cakaj mungonte për shkak se ndodhej në Bratislavë për ceremoninë e marrjes së kryesimit të OSBE-së.
“E papranueshme vonesa në mbledhje. Në komision duhet të jetë ministri në detyrë”, deklaroi Hajdari, e më pas vendosi që të largohej nga Komisioni. Këtij qëndrimi iu bashkua edhe deputeti i opozitës, Ralf Gjoni, i cili kundërshtoi mënyrën se si po sillet mazhoranca në këtë komision, si dhe dënoi shpërfilljen e qeverisë ndaj kësaj strukture parlamentare. Gjoni kërkoi që pas këtij akti të Hajdarit, të mbyllej mbledhja pasi kryekomisionerja Hajdari e deklaroi të mbyllur.

Deputeti Ralf Gjoni duke bojkotuar mbledhjen e komisionit te Integrimit. Gazeta Si, 6 dhjetor 2019

Kjo solli edhe reagimin e socialistëve, të cilët nuk e pranuan që mbledhja të mbyllej pa nisur mirë. “Komisioni ka rregulla, nëse ikën kryetari, sipas Rregullores e drejton nënkryetari”, u shpreh socialistja Senida Mesi. Deputetët e mazhorancës i cilësuan këto qëndrime si sjellje prej fëmijësh. “Këto është kalamallëqe. Ralf, ditë të mbarë”, iu drejtua Kumbaro, deputetit të opozitës.
“Duhet të largohemi nga metoda provinciale e komunikimit që u vë re në këtë sallë”, deklaroi Gjoni, përpara daljes nga mbledhja. Mbledhjen më pas e ka drejtuar nënkryetarja e komisionit, socialistja Senida Mesi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë