Politike

Cakaj kërkon anëtarësimin e Kosovës në Kartën e Adriatikut

Ministri i Jashtëm në Detyre, Gent Cakaj ka kërkuar sot që Kosova të anëtarësohet në Kartën e Adriatikut.

Duke folur gjatë takimit të Komisionit të Partneritetit të A5-ës, Cakaj u ndal tek zgjerimi me vende të tjera të rajonit, sidomos Kosova, duke argumentuar se kjo do të kontribuojë jo vetëm në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal për përballimin e sfidave por edhe në integrimin e plotë euro-atlantik të tij

Sipas ministrit, Karta e Adriatikut, ka luajtur një rol të rëndësishëm në ndihmë të integrimit Euro-Atlantik të rajonit, duke e shndërruar Ballkanin në një prodhues të sigurisë. Kosova është një nga vendet vëzhguese të këtij partneriteti, por nuk është bërë ende pjesë e tij.

Ky takim shënoi edhe fundin e kryesisë shqiptare të Kartës së Adriatikut - SHBA pas së cilës, zyrtarisht, kryesinë e merr Bosnjë-Hercegovina.

Takimi u fokusua në forcimin e bashkëpunimit rajonal mes vendeve anëtare dhe vëzhguese të A-5, në funksion të përballimit të sfidave të sigurisë dhe kryesisht, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Po ashtu, takimi i kushtoi vëmendje përpjekjeve për integrimin europian atlantik të rajonit si dhe domosdoshmërisë së zgjerimit me Kosovën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë