Politike

Cakaj: BE të na trajtojë si të barabartë me Maqedoninë e Veriut

Ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj pret që në tetor të mos ketë asnjë surprizë të pakëndshme, si ndarja e Shqipëria nga Maqedonia e Veriut sa i takon procesit të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

BE do të vendosë më 18 tetor për këtë temë dhe sa më shumë afrohet kjo datë aq më të forta janë bërë zërat që flasin për një ndarje mes Shkupit dhe Tiranës. Cakaj nuk e përjashton këtë si mundësi, por thotë se ajo do të ishte e padrejtë dhe e pabarabartë.

“BE duhet të ketë një qasje të konsoliduar strategjike në rajon dhe strategji për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sfida kryesore është trajtimi i barabartë i dy vendeve dhe mbi këto konsiderata, që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të marrin përgjigjen e merituar që ngrihet mbi rezultatet e performancës. Megjithatë, vendimi nuk varet thjeshtë nga puna e Qeverisë, por nga shumë faktorë, që mund të kenë rolin e tyre si në vitin e kaluar”, deklaroi Cakaj.

Ministri i Jashtëm në Detyrë iu përgjigj pyetjeve të një grupi studentësh dhe ekspertësh mbi çështjet e integrimit. Cakaj thotë me bindjes se Shqipëria ka plotësuar kushtet e kërkuara, por nënkupton se vendimmarrja do të ndikohet fort edhe nga situata e brendshme e BE-së dhe rezervat mbi procesin e zgjerimit.

Por, a është e gatshme Shqipëria që të ulet në tryezë me BE-në dhe të përballojë sfidat që lindin nga 23 kapitujt? Gent Cakaj mendon se po.

“Struktura e negociatave është konceptuar sipas modeleve të shteteve që kanë kaluar së fundmi këtë proces me ndryshimet që të mos përsëritim disa gabime të vendeve të tjera. Struktura është konceptuar mbi dy shtylla, një mbikëqyrse dhe shtylla operative dhe funksionale që bën kryerjen e detyrave përgjatë këtij procesi. Gëzojmë të gjitha kapacitetet e nevojshme për të përballuar me sukses procesin e negocimit”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë