Kampionati shqiptar nuk prodhon shumë gola përgjithësisht, zakonisht ndeshjet vendosen nga një gol. Por java e 9-të e ka përmirësuar mesataren, sepse vetëm në 3 ndeshje të zhvilluara sot, janë shënuar plot 12 gola. Katër gola për ndeshje është një mesatare e pazakontë për futbollin tonë, aq sa duket se tri ndeshjet e sotme të Superiores janë luajtur pa mbrojtje fare.
Tirana është mundur 3-1 në fushën e Bylisit, që merr kryesimin e kampionatit. Kryeqytetasit kanë bërë një ndeshje shumë të dobët, me gafa, çka e ka detyruar trajnerin Mema të bëjë dy ndërrime në pushim, kur të tijtë po humbnin 2-0. Dunga rihapi ndeshjen, por Bylisi realizoi sërish, duke e fituar ndeshjen 3-1. Një hap fals i bardhebluve dhe tani mbetet për t’u parë qëndrimi i drejtuesve për pozicionin e trajnerit Mema, i kërcënuar seriozisht për shkarkim. Nga ana tjetër, Bylisi vazhdon të befasojë dhe tashmë kryeson me 16 pikë.
Teuta, që vinte si kryesuese në javën e 9-të, është mundur 3-0 në Laç. Rezultati flet qartë se durrsakët nuk kanë bërë asgjë në këtë 90-minutësh. Trajneri i ri i kurbinasve, Armando Cungu, ka marrë fitoren e parë, por Laçi mbetet sërish në pozita të vështira, pasi ka gabuar shumë në javët e para. Kukësi ka mundur thellë, 4-1, Luftëtarin, duke fituar terren në tabelën e renditjes. Kjo ndeshje u luajt në stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjës dhe skuadra e trajnerit Duro nuk e vuri asnjëherë në dyshim fitoren. Realizuan Et’hemi, Shkurtaj dy herë dhe Rroca.

Java e 9-të vazhdon me ndeshjen Flamurtari-Vllaznia, që luhet në Vlorë, për t’u mbyllur nesër me sfidën Partizani-Skënderbeu. Të kuqtë kanë rastin më të mirë për të marrë vendin e parë, pasi një fitore e mundshme ndaj korçarëve i ngjit në kuotën e 17 pikëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.