Politike

Dekriminalizimi, Bylykbashi: Rama e ktheu shtetin në gropë septike të krimit

Një nga hartuesit e “Dekriminalizimit”, ish-deputeti demokrat Oerd Bylykbashi ka ironizuar mënyrën e zbatimit të ligjit që synonte të pastronte shtetin nga njerëzit e inkriminuar. Me anë të një postimi në Facebook, Bylykbashi shkruan se për rastin më të fundit të kryebashkiakut Pjetri, tregon sipas tij, se sa njerëz me rekorde kriminale ka futur në administratën shtetërore dhe në postet drejtuese.
“Më kujtohet kur Rama, e pas tij Taulanti, etj, bërtisnin ne Parlament se si ligji i Dekriminalizimit ishte antikushtetues. Ama nuk më kishte shkuar mendja se Rama kishte futur kaq shumë kriminelë në ‎shtetin që qeveris shqiptarët. Merita: kishin eksperiencë në krim. Rasti Pjetri është më i fundit i një vargu ku mbi 350 deputetë, kryebashkiakë, këshilltarë bashkiakë, drejtorë, punonjës administrate e policë janë dënuar me burg për krime në të shkuarën dhe ishin promovuar në institucione nga Rama. Dënimet në CV-të e tyre variojnë nga krime si vjedhjet e thjeshta deri tek ato të rëndat e të rrezikshmet për krim te organizuar, trafiqe droge, vrasje, përdhunime në grup e rrëmbim personash”, shkruan Bylykbashi.

https://www.facebook.com/photo.php?fbid=10219864372789198&set=a.10203966979644305&type=3&theater


Ai kujton edhe kohën kur Rama dhe Balla kontestonin ligjin, duke e cilësuar si antikushtetuese. Duke rrëfyer se kishte takuar disa të rinj dhe biznesmenë që po iknin nga vendi, ish-deputeti demokrat e lidh edhe më ketë arsye se po largohen nga Shqipëria, veç taksave dhe gjobave të tatimorëve.
“Tashmë, pas rastit Pjetri, e kam të qartë që këta refuzojnë ta kuptojnë “vizionin dhe strategjinë” e Ramës për të dekriminalizuar vendin, duke e kriminalizuar më parë kokë e këmbë. Nuk duan, refuzojnë të kuptojnë që Rama e ktheu shtetin në një grope septike të krimit, ndoshta me qëllimin që të drenonte kriminelët tek ajo gropë, t’i hiqte nga shoqëria dhe në këtë mënyrë të na pastronte e të na shpëtonte nga kjo e keqe. Ata që takova nuk kishin me kohë për ta kuptuar "të gjatin" dhe të bërin "shtet" të tij dhe deri në fund të vitit do të kenë ikur nga sytë këmbët”, mbyll postimin e tij Bylykbashi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë