Futboll

Bylisi nuk është më surprizë, trondit Vllazninë dhe Shkodrën

Një gol në stadiumin “Loro Boriç” dhe vend i dytë. Ky Bylis nuk është më një surprizë. Skuadra e ardhur nga Kategoria e Parë dhe e drejtuar nga trajneri serb, Dovedan, vazhdon të qëndrojë në pozita kryesuese, duke i bindur tashmë edhe më skeptikët me lojërat që po zhvillon dhe mbi të gjitha me rezultatet. Për më tepër, në ndeshjen e sotme me Vllazninë kishte disa mungesa të rëndësishme.

Janku shënoi golin e vetëm të ndeshjes së luajtur në Shkodër, duke devijuar në zonë një top të krosuar nga një goditje dënimi. Shkodranët e kanë përjetuar shumë këtë goditje psikologjike dhe në asnjë moment nuk mundën të dilnin në lojën e tyre. Ata ishin shumë nervozë, ashtu si dhe tifozët në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”, duke kontestuar vendimet e arbitrave, në ndonjë raste edhe me hedhje shishesh plastike në fushë. Bylisi jo vetëm që arriti ta ruante avantazhin deri në fund, por krijoi edhe disa raste të pastra shënimi për golin e dytë. Ballshiotët pretenduan për një penallti, por arbitri Ziri vazhdoi lojën.

Me këtë fitore Bylisi ngjitet në kuotën e 20 pikëve dhe qëndron pas Partizanit. Ndeshjen e radhës e ka me Skënderbeun në Ballsh. Vllaznia hedh një hap shumë të gabuar, që e fut në një vorbull të rrezikshme, atë të luftës për mbijetesë në Superiore. Në fundjavë luan sfidën me Tiranën në kryeqytet, ku një tjetër humbje do ta bënte situatën mjaft të vështirë te shkodranët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë