Politike

Buxheti kalon pa Ramën e ministrat, rezoluta antiruse futet në kalendar

Parlamenti votoi me 83 pro, 23 kundër, 3 abstenim ndryshimet e aktit normativ të Buxhetit të Shtetit 2019. Në këtë votim ra në sy votat pro e disa prej deputetëve të opozitës, të cilët duket se po japin sinjale pro nismave të qeverisë. Në këtë seancë kanë munguar pjesa më e madhe e ministrave dhe madje vetë kryeministri Edi Rama nuk preferoi të ishte i pranishëm. Shefi i qeverisë shmangu sot Parlamentin, duke bërë që edhe interpelancën e thirrur në emër të tij për çështjen e shqiptarëve në Siri, t’ia delegonte ministres së shtetit, Elisa Spiropali. Braçe, Majko, Klosi dhe Spripoali ishin përfaqësueset e qeverisë që votuan në seancë, ministrat e tjerë nuk ishin as fizikisht prezent. Ashtu si edhe në ligjet e kaluara edhe në seancën e sotme u vu re rrjedhja e votave nga opozita.

Votimi i aktit normativ në seancën e sotme. Gazeta Si, 4 nëntor 2019


Në seancën e sotme kryeparlamentari Gramoz Ruçi njoftoi paraqitjen e projektrezolutës së kryetarit të grupit të PS-së, Taulant Balla për ndërhyrjet ruse në Shqipëri. Në këtë draft kërkohet parandalimi i ndërhyrjeve të huaja në zgjedhjet, duke paraqitur si kryesore edhe rrezikun rus. Do të jetë komisioni i Sigurisë dhe i Çështjeve Ligjore që do ta shqyrtojnë këtë projektrezolutë. Seanca votoi kërkesën për shqyrtimin e votimin me procedurë të përshpejtuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë