Lajme

Buxheti faktik 2017, Ahmetaj: Qeveria brenda objektivit për borxhin

Buxheti Faktik 2017 është diskutuar sot në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat. Ministri Arben Ahmetaj në fjalën e tij ka kthyer përgjigje në mënyrë të drejtpërdrejtë lidhur me problematikat që ngre raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për shifrat e borxhit dhe deficitit.

“Shifrat janë në përputhshmëri të plotë me ligjin dhe me detyrimet që Parlamenti i ka vendosur qeverisë. Në vitin 2017 treguesi i borxhit publik targetonte një rënie me 2 për qind dhe nga 72.3 për qind ky borxh ra në 70.1 për qind. Shifrat gjithashtu janë të skanuara edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar”, është shprehur Ahmetaj, duke nënkuptuar se nuk ka vend për aludime lidhur me fshehje të shifrave reale.

Pikërisht FMN duket se shërben sipas Financave edhe si garante e së vërtetës. Ministri Ahmeti u shpreh se qeveria në vitin 2017 nuk krijoi borxh të ri, madje u bë e mundur që të ulej shifra e borxhit, duke pasur parasysh që ishim në një vit elektoral.

Sipas Ahmetaj efekti pozitiv në këtë situatë ka qenë i lidhur me politikat fiskale optimale të ndërmarra nga qeveria, të cilat kanë dhënë ndikim edhe në rritjen ekonomike.

E pranishme në Komisionin për Ekonominë dhe Financat ishte edhe Drejtoresha e Përgjithshme e Kontrollit të lartë të Shtetit Lindita Lati, e cila bën edhe mbrojtjen e raportit të këtij institucioni në mungesë të kryetarit Bujar Leskaj, të cilit i ka përfunduar tashmë mandati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë