Lajme

Buxheti 2019, Tabaku: I pamëshirshëm me të varfrit

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar sot në një dalje për mediat nga selia blu për buxhetin 2019 të prezantuar nga qeveria.

Sipas saj, buxheti 2019 nuk projekton zhvillim dhe mirëqenie, pasi është i pamëshirshëm ndaj të varfërve. Ajo shtoi se buxheti i ri është kundër bizneseve dhe investimeve të huaja, pasi është fokusuar vetëm tek monopoli.

“Buxheti 2019, njësoj si në 4 vitet paraardhëse, nuk projekton zhvillim dhe mirëqenie, por lëmoshë për qytetarët dhe taksim të rëndë për bizneset. Ky është buxheti që pasuron një grusht njerëzish pranë Edi Ramës”, u shpreh Tabaku.

Në vijim, Tabaku u shpreh se buxheti 2019 nuk parashikon më shumë të ardhura në xhepat e shqiptarëve.

“Buxheti 2019 nuk parashikon më shumë të ardhura në xhepat e shqiptarëve. Sipas të gjitha raporteve serioze vendase dhe ndërkombëtare, bizneset sot në Shqipëri paguajnë taksa të larta në raport me mundësinë e të ardhurave apo xhirove që këto biznese kanë dhe kjo është arsyeja se përse qe 45 biznese mbyllen në ditë. Ndonëse u morën votën bizneseve me premtimin se do të ulnin taksat, për të gjashtin buxhet me radhë, kjo qeveri nuk aplikon asnjë politikë lehtësuese fiskale”, thotë deputetja demokrate.

Ajo shtoi se buxheti i ri është kundër bizneseve dhe investimeve të huaja, pasi është fokusuar vetëm te monopoli.

“Buxheti nuk artikulon asnjë politikë pro biznes e pro investime të huaja. Por sërish fokuson të gjitha energjitë e saj për të zhdukur konkurrencën dhe për të prodhuar vetëm monopole”, u shpreh deputetja Tabaku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë