Lajme

Buxheti 2019, Rama: Nga 1 janari 40 mijë lekë për çdo lindje

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot së bashku me ministren e Shëndetësisë dhe të Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu, platformën sociale të projektbuxhetit 2019.

Me anë të kësaj platforme kryeministri nxit edhe rritjen e popullsisë, pasi me lindjen e çdo fëmije, çdo prind do të marrë shpërblim që rritet në varësi të numrit të fëmijëve që sjell në jetë.

Nga 1 janari 2019 do të ketë shumëfishim të bonusit për çdo bebe të ardhur në jetë duke i ardhur kështu në ndihmë familjeve .

Fëmija i parë i një çifti do të marrë 400 mijë lekë të vjetra,  8-fishi i bonusit të sotëm prej 5 mijë lekë

Fëmija i dytë do të marrë 800 mijë lekë të vjetra. 16-fishi i bonusit të sotëm prej 5 mijë lekë

Fëmija i tretë do të marrë 1 milionë e 200 mijë lekë të vjetra, pra 24 fish i bonusit të sotëm prej 5 mijë lekë

“Sot jemi këto për të folur lidhur me një politikë të re që duam të lançojmë. Jemi gati sepse kemi bërë reforma, kemi vendosur rregulla në financat e shtetit, dhe kemi mundësinë të bëjmë diçka që e kishim të pamundur disa vite më parë. Në buxhetin e 2019 do të kemi disa të reja, në kuadër të reformave që do të shkojnë në favor të njerëzve, do të kemi rritje pagash në arsim, shëndetësi, ushtri. Do të kemi lehtësime të rëndësishme taksash, kryesorja lehtësimi i taksave për një pjesë të konsiderueshme dhe shumë aktive të biznesit, që nuk do të konsiderohet më biznes i madh deri në 140 mijë dollarë xhiro në vit.

Më e bukura është ajo që do bëjmë për fëmijët e sapolindur. Në vitet 2000 unë pata lançuar si kryetar i Bashkisë së Tiranës, çekun e bebes, 50 mijë lekë të vjetra, dhe mbeti aq sa ishte për shumë vite, madje mbeti një problem, dhe në malin e borxheve të mbetura ne kishim edhe një borxh prej 5 milion dollarësh për bebet që nuk e kishin marrë. Borxh që e shlyem. Asgjë më nuk ka ndryshuar në këtë politikë, që sot kthehet në rendin e ditës me një shumëfishim nga 1 janari 2019, do të marrë 400 mijë lekë i parë, 800 mijë fëmija i dytë, dhe fëmija i tretë 1 milion e 200 mijë lekë”, u shpreh Rama.

Regjistrimi elektronik

“Çdo bebe që lind në maternitetet e Republikës së Shqipërisë do të regjistrohet aty dhe nuk do të shkojë në gjendje civile dhe do të marrë menjëherë çekun për mirëseardhjen. Kjo është një ndihmë e drejtpërdrejtë për familjet që sot kanë vështirësitë e tyre dhe me lindjen e fëmijëve duhet të jenë të përkrahur. Është një masë që në kalkulimet tona do të nxisë natalitetin për të gjithë pa dallim”, tha më tej kryeministri. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë