Lajme

Buxheti 2019, Ahmetaj: Pagat që do të rriten dhe ku investojmë

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, në një konferencë për shtyp ditën e sotme ka pohuar se duke nisur nga viti 2019 qeveria ka premtuar rritje pagash për disa sektorë, si në sistemin shëndetësor, arsimor apo dhe diplomaci.

“Lajm i mirë është rritja e pagave; shëndetësi, arsim, mbrojtje, sistemi penitenciar dhe trupi diplomatik i Shqipërisë në vendet e ndryshme. Në shëndetësi përfitojnë 4650 mjekë dhe 13745 infermierë me një fond vjetor mbi 1 mld lekë. Në arsim përfitojnë 35783 staf mësimor me një fond vjetër 1.5 mld lekë. Në sistemin policor 6560 policë të burgjeve me një fond 600 e ca mln lekë në vit. Do ketë rritje të ndjeshme të pagave për diplomatët shqiptarë prej 20 %”,  tha Ahmetaj.

Më tej, Ahmetaj theksoi se 2.2 miliardë lekë nga buxheti do të shkojnë për sistemin e drejtësisë ku premtoi rritje pagash për prokurorët dhe gjyqtarët.

“Tekste falas për 190 mijë nxënës. Këtë vit do të kemi 100 qendra shëndetësore të rikonstruktuara, deri në 2021, 380 qendra të reja. Një sërë spitalesh që kalojnë në rikonstruksion të plotë, si Vlora, Elbasani dhe Mati.

Do të vazhdojnë akset rrugore ‘Rruga e Arbrit’, pastaj Thumanë-Vorë-Kashar, Kardhiq-Delvinë dhe një sërë segmentesh të tjera rrugore. 2019 do të quhet viti i bujqësisë. Dua të theksoj se buxheti i vitit 2019 financon plotësisht reformën në drejtësi, rritjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët dhe financimin e vettigut dhe organeve të reja të drejtësisë. Kjo shkon më shumë se 2.2 miliardë”, u shpreh ministri.

Po ashtu ministri ndau me publikun edhe pritshmërisë e qeverisë për vitin që vjen.

“Paketa fiskale që e shoqëron ky buxhet, reflekton vëmendjen e qeverisë ndaj qytetarëve. Qoftë për uljen e borxhit të trashëguar ndër vite, qoftë rritjen e të ardhurave, qoftë edhe privatizimin e investimeve publike në favor të rritjes ekonomike. Konkretisht, rritja ekonomike për 2019 parashikohet të jetë 4.2 për qind të prodhimit ë brendshëm bruto. Pra, ndër më të lartat në rajon. Është niveli më i ulët historik i deficitit buxhetor që shkon me mendësinë e kësaj qeverie për të ulur borxhin publik mbi shpatullat e qytetarëve. Për të katërtin vitin radhazi buxheti parashikon sufiçit primar. Për të katërtin vit radhazi qeveria Rama nuk krijon borxh të ri. Megjithëse jemi duke ulur borxhin publik, do të kemi një nivel investimesh të konsiderueshme prej 5% të prodhimit të brendshëm bruto", tha Ahmetaj. Sipas tij, qeveria do të investojë në nivele të konsiderueshme dhe në terma nominal investimet publike do të shkojnë në 900 mln dollarë. "Në të njëjtën kohë ajo që ne e përdorim si spirancë e shëndetshmërisë, borxhi publik në fund të 2019-ës do bjerë 64.9 %. E trashëguam 74 %. Vitin tjetër do të jetë 6.4.9 %, që do të ulet për të lehtësuar barrën e borxheve të trashëguara në familjet shqiptare. Kemi ulur taksat”, tha ndër të tjera ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë