Lajme

Bushati në Izrael, bisedime për çështjen e sigurisë

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, ndodhet në Izrael për punimet e “Konferencës së 18-të Ndërkombëtare të luftës kundër terrorizmit”, organizuar nga Instituti Ndërkombëtar i Luftës kundër Terrorizmit (ICT).

Gjatë vizitës së tij, Ministri Bushati zhvilloi disa takime bilaterale. Ai u takua me Kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Izraelit, Benjamin Netanyahu, ministrin e Mbrojtjes Avigdor Lieberman, ministrin për Bashkëpunimin Rajonal Tzachi Hanegbi, Lideren e Opozitës Tzipi Livni, Drejtuesit e Komitetit Amerikano-Hebre (AJC) David Harris dhe Kongresit  Botëror të Hebrenjve (WJC) Robert Singer.

Gjatë këtij takimi bashkëbiseduesit u ndalen në çështje të rëndësishme të bashkëpunimit dypalësh, zhvillimet në fushën e sigurisë në Lindjen e Mesme dhe në rajonin e Ballkanit, lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja kibernetike. Ministri Bushati e njohu kryeministrin Netanyahu me zhvillimet në rajon dhe me rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti.

Bushati është shprehur se lufta ndaj terrorizmit nuk është dhe nuk do të jetë e lehtë.

“Ashtu si rrjetet terroriste janë transnacionale, kështu duhet të jetë edhe bashkëpunimi ynë. Ne duhet të bëjmë gjithçka është e nevojshme për të prishur lidhjen mes radikalizimit dhe terrorizmit, duke adresuar çështjet e ndryshme dhe komplekse në mjedise ku ushqehen akte terroriste. Duhet të miratojmë një ‘përpjekje të të gjithë shoqërisë’ duke u angazhuar me shoqërinë civile, komunitetin dhe udhëheqësit fetarë, dhe të rinjtë”, u shpreh ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

Nga ana e tij, kryeministri Netanyahu vlerësoi qasjen e Shqipërisë ndaj sfidave të sigurisë në rajon dhe më tej, si dhe shprehu interesin e Izraelit për të forcuar më tej bashkëpunimin në këtë fushë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë