Drejtësia

‘Burg me afat’ për të arrestuarit me 1 kg kokainë  në Tiranë, zbardhen dëshmitë e tre të rinjve

Gazeta Si - Gjykata e Tiranës ka dhënë këtë të shtunë masat e sigurisë për 3 personat e kapur me 1 kg kokainë me “3 yje” pak ditë më parë.

Pas përfundimit të seancës, gjykata vendosi 45 ditë arrest në burg për Genis Mustafën, ndërsa dha nga 30 ditë arrest në burg për Robert Domin dhe Andrea Demën.

Tre të arrestuarit kanë mbajtur qëndrim mohues për akuzën. Genis Mustafa, banakier në një bar në kryeqytet ka pohuar se një mik i tij e kishte prezantuar me një person tjetër disa muaj më parë. Disa ditë më parë ky person, sipas Mustafës i ka dhënë një pako për t’ia ruajtur.

Pakon e kishte lënë në makinën e tij të parkuar pranë rrugës “Myslym Shyri”. Ditën e arrestimit ky person, që sipas avokatëve, ka qenë i infiltruar i policisë, i ka kërkuar takim. Kanë pirë një kafe dhe janë drejtuar për tek makina, ku edhe ka ndërhyre policia.

Në mjet është gjetur kokaina dhe është prangosur Mustafa, ndërsa i dyshuari si i infiltruar është larguar.
Pak metra më tutje janë ndaluar dy personat e tjerë. Avokatët kanë pretenduar se në dosje nuk ka autorizim nga prokuroria për kryerje të veprimeve të simuluara.

Gjatë arrestimit të tyre, në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua 1 kg e 52 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 4 aparate celulare, 1400 euro dhe 78 900 lekë.

Këta tre persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin dhe shisnin drogë në disa zona të kryeqytetit.

Sipas informacioneve, droga sigurohej në Shijak nga Andrea Dema dhe Robert Domi, të cilët më pas e sillnin në Tiranë dhe ia jepnin për shpërndarje Genis Mustafës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë