Lajme

Bulqizë, gjendet trupi i pajetë i të riut të zhdukur prej 8 muajsh

Trupi i pajetë i një personi është gjetur sot në një tunel të Shupenzës nga banorët e fshatit Zogaj në Bulqizë.

Sipas të dhënave policore viktima është identifikuar si Artur Lleshi, 31-vjeçari nga Bulqiza, i cili rezultonte i zhdukur prej 8 muajsh nga fshati Zogaj i Bulqizës.

Trupi i pajetë, i dekompozuar, është gjetur mesditën e sotme. Në afërsi të kufomës është gjetur një kartë identiteti me gjeneralitetet që i përkasin shtetasit A.Ll, 31 vjeç, i cili ka qenë i larguar nga banesa që në muajin korrik, sqaron policia e Bulqizës.

Artur Lleshi u zhduk në mënyrë misterioze në Maqedoni, ku ai punonte si çoban. Familjarët në atë kohë bënë denoncim në Shqipëri e Maqedoni. Për Lleshin kanë qarkulluar disa hipoteza, mes të cilave edhe përfshirja në trafikun e drogës, por familjarët e mohojnë kategorisht një mundësi të tillë.

Artur Lleshi, nga Bulqiza ka humbur kontaktet më 10 prill 2018 me familjen e tij nga Gostivari. Ai iku të punonte si çoban në Maqedoni. I vëllai dhe familjarët shprehen se ka punuar prej 3 vitesh në Maqedoni.

Arturi u rikthye më 2 prill, për të sjellë paratë në shtëpi dhe për t’u çmallur me familjarët dhe 3 fëmijët e tij të mitur. Më 10 prill, ai u largua nga shtëpia për t’u rikthyer në punën e tij, por që prej asaj dite nuk ka më informacion.

Për herë të fundit ai ka folur në telefon me bashkëshorten e tij. Policia ka nisur hetimet për të verifikuar nëse bëhet fjalë për një vdekje aksidentale apo një vrasje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë