Njerez

Bullizmi, historia e 8 vjeçares: Shokët më tallin për rrobat që vesh

Fotografi ilustruese për bullizmin

“Shokët e klasës gjithmonë më tallin për rrobat që vesh. Unë nuk jam e bukur dhe nuk kam shumë rroba”. Këto janë fjalët e para që thotë Melisa për gazetën “Si”.
Vajza e vogël, 8 vjeçare është nxënëse në shkollën 9 vjeçare Kasem Shima në Tiranë. Ajo ka shumë dëshirë të shkojë në shkollë por përbuzjet nga shokët dita ditës po e largojnë nga ajo që dëshiron më shumë.
Mamaja e saj tregon se shpesh herë se Melisa kthehet në shtëpi duke qarë dhe mbyllet me orë të tëra në dhomë duke thënë se nuk do të dalë pasi nuk është e bukur.
“Është një dhimbje e madhe për mua kur e shikoj aq të mërzitur. Do të doja të kisha mundësi më shumë për t’i blerë gjithçka që donte, por më duhet të rris edhe 2 fëmijë të tjerë,” thotë duke qarë Alketa, mamaja e 8 vjeçares.
Ajo e përshkruan vajzën e saj si një fëmijë të çiltër dhe të dashur, por të gjithë shokët e klasës e mënjanojnë sepse ajo nuk i ndërron rrobat e saj për ditë si të tjerët. E veshur me fustan rozë dhe flokët e kapura gërshet, vajza e vogël e shpreh qartë mërzitjen në fytyrën e saj duke thënë shpesh herë se nuk do të shkojë më në shkollë sepse atje nuk e dua.

Studiuesi australian Ken Rigby e ka përshkruar bullizmin si një dëshirë për të dëmtuar tjetrin, me anë të veprimeve abuzuese mbi të. Kjo dukuri te njerëzit është vënë re që prej shumë kohësh, por ata që e vuajnë këtë fenomen më së shumti janë fëmijët dhe adoleshentët.
Nga ana psikologjike termi cilësohet me fjalën shqip “kërcënim” dhe tregon zbatimin e sjelljeve të përsëritura, agresive, të dhunshme me karakter psikologjik, fizike. Ky fenomen nuk është më i huaj në shkollat shqiptare dhe është cilësuar tepër prezent dhe shqetësues jo vetëm për fëmijët, por edhe për prindërit .


Format e bullizmit janë të ndryshme, ato janë përcaktuar nga studiues ndërkombëtar në pesë kategori, bullizmi fizik, verbal, social, seksual dhe kibernetk. Përhapja e këtij fenomeni ndodh midis fëmijëve, por edhe midis mësuesve dhe fëmijëve.

Si paraqitet ky fenomenin në shkollat shqiptare?

Përpara disa kohësh Ministria e Arsimit dhe Këshilli i Europës paraqitën të dhënat e një studimi ku tregohej qartë përshtatshmëria e këtij fenomeni me shkollat në Shqipëri. Ky studim u krye në 144 shkolla të vendit dhe rezultatet kanë treguar se 19.4% e nxënësve janë pjesë e këtij fenomeni. Përgjithësisht agresorët janë djemtë dhe të dhunuarit janë vajzat. Raporti ka treguar se fëmijët e shkollave publike janë ata që vuajnë më shumë nga ky fenomen dhe forma më e përhapur ishte bullizmi psikologjik.
“Unë nuk dua që fëmija im të lërë shkollën vetëm sepse fëmijët e tjerë e paragjykojnë nga pamja. Kam folur me drejtoreshën e shkollës dhe më kanë informuar për këtë studim, por nuk po shikoj asnjë rezultat tek vajza ime. Ajo ka ende frikë të shkojë në shkollë,” thotë Alketa.
"Mësuesja ime më mbron, por ajo nuk është me mua gjithmonë,” thotë tetë vjeçarja e cila shpesh herë fshihet mbas mamasë së saj e trembur.

Mësues të shkollës Fan Noli dhe Vasil Shanto të cilët nuk duan të bëjnë publik identitetin e tyre, kanë treguar se gjatë gjithë kohës janë përpjekur për të shmangur këtë fenomen, por në disa raste nuk është në dorë të tyre, pasi sipas fëmijët janë të paparashikueshëm.
Sociologu Gëzim Tushi tha për gazetën Si, që ky fenomen në ambientet shqiptare është rezultati i transformimeve që ka pësuar shoqëria shqiptare. Sipas tij, kohët e fundit ka një tendencë të zhvillimit të egoizmit dhe frikës nga dështimi që ka ndikuar edhe te fëmijët, sepse shoqëria ka vepruar që kjo qasje të trajtohet gabimisht dhe fëmijët janë viktimë e kësaj ndjenje e në këtë mënyrë bëjnë veprime të pahijshme.
“Duhet të themi që fëmijët janë viktimë e shoqërisë dhe e sistemit të edukimit tek ne. Forma të ndryshme të bullizmit duhet të shërohen që nga konceptet që ka shoqëria e sotme. Problemi është shumë kompleks dhe nuk ekziston vetëm tek fëmijët, kështu që duhet vlerësuar në mënyrë komplekse. Fillimisht duhet të ndryshohet mënyra e edukimit që në shkolla fillore më pas të ndërmerren hapa të tjerë,” shton ai.

Sociologu Gëzim Tushi

Këshilli i Evropës ndërtoi një projekt që do të ndihmojë mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, duke zbatuar qasje ani-diskriminuese në sistemin formal të arsimit në Shqipëri, bazuar në standardet dhe praktikat e vetë Këshillit. Ky projekt aktualisht po zbatohet në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe pritet të përfshijë edhe një grup më të gjerë të partnerëve dhe aktorëve kombëtarë duke përshirë politika arsimore, institute kërkimorë, shkolla jopublike, komunitete lokale, mediat dhe OJQ-të.
Marjeta, mësuese në shkollën 9 vjeçare në shkollën Kasem Shima thotë se ky projekt nuk është trajtuar në të gjitha shkollat e qytetit të Tiranës.
“Në mbledhjet e mësuesve ne kemi diskutuar për këtë projekt, por nuk jemi informuar si të parashtrojmë informacionet e reja përpara nxënësve. Mënyrat e reja të përjashtimit të këtij fenomeni nga shkolla nuk kanë arritur deri tek ne. Jemi munduar të këshillojmë fëmijët nga informacione e përgjithshme që kemi,” shprehet ajo.

Ndërkohë, Mariglen Mërtiri, këshilltar i Ministrisë së Arsimit ka thënë se lufta kundër bullizmit dhe ekstremizmit në sistemin arsimor parauniversitar në Shqipëri ka vijuar në disa shkolla të Shqipërisë.
“Në bordin drejtues të projektit janë katër përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe ekspertë të tjerë dhe roli I tyre është zbatimi I projektit, mbikëqyrja e mbarëvajtjes së veprimtarive, garantimi i zbatimit te projektit, koordinim me shkollat, pjesëmarrje në takimet me ekspertët e KE, organizim i ditës kombëtare të bulimit si dhe përcaktimi i saj,” thotë ai

Mariglen Mërtiri, këshilltar i Ministrisë së Arsimit

Gjithashtu, Mërtiri është shprehur se nga ky projekt janë trajnuar drejtues të ekipeve kundër bullizmit në shkollat pilote, nga ekspertë të huaj dhe ka pasur shkëmbime eksperiencash të shkollave, për forcimin e kapaciteteve mbi luftën kundër këtij fenomeni dhe zhvillimi i këtij projekti do të shtrihet, edhe në shkolla të tjera.
Projekti i financuar nga Bashkimi Europian, Këshilli i Europës dhe Projekti Horizontal për Ballkanin Perëndimor, është zbatuar nga Departamenti i Arsimit i Këshillit të Europës në Tiranë. Kohëzgjatja e projektit është 32 muaj dhe ka një buxhet 600.000 euro.

Por ende ka fëmijë që kanë frikë që të shkojnë në shkollë.

“Ajo po bën 10 ditë që nuk shkon në shkollë dhe unë nuk mund ta detyroj të shkojë më sepse kur të kthehet në shtëpi do të jetë përsëri duke qarë. Nuk e di se çfarë projektesh po bëhen, thjesht dua që vajza ime të ketë përsëri dëshirën për të shkuar në shkollë. Askush nuk mund ta dijë se si ndjehet një prind kur nuk ka mundësi të bëjë fëmijën e tij të lumtur,” thotë Alketa.
Ndërsa vogëlushja Melisa është shprehur se ka dëshirë të bëhet mësuese dhe të edukojë fëmijët që të sillen mirë me njëri tjetrin.
“Dua që mbas pushimeve të kthehem në shkollë dhe të mësoj përsëri vjersha në anglisht,” thotë Melisa e cila prej kohës mundohet të mësojë në shtëpi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë